Jepet alarmi i kuq për supën e importuar nga PRONATYRA TREG
E solli nga Italia, brenda saj gjendet objekt i rrezikshëm
Një alarm i kuq për sigurinë ushqimore është ngritur në Europë, ndërsa rasti ka prekur drejtpërdrejt edhe tregun shqiptar. Një produkt supë e ngrirë, i prodhuar në Itali dhe i konsumuar gjerësisht, është urdhëruar të tërhiqet nga tregu pasi është vlerësuar si me rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Bëhet fjalë për produktin “Minestrone 16 Verdure”, një përzierje perimesh të ngrira me peshë 750 gram, me numër loti L03DK dhe datë skadence 30 qershor 2028.
Alarmi është aktivizuar pasi një konsumator ka konstatuar praninë e një trupi të huaj brenda paketimit, element që konsiderohet potencialisht i rrezikshëm. Pas këtij raportimi, Sistemi Europian i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) ka dhënë njoftim me nivel maksimal rreziku, duke e klasifikuar produktin si një kërcënim serioz për shëndetin publik.
Sipas të dhënave zyrtare, ky produkt ka hyrë edhe në Shqipëri. Ai është importuar më 14 maj 2026 nga subjekti “PRONATYRA TREG”, ndërsa sasia është shpërndarë dhe tregtuar në dy pika shitjeje në Tiranë.
Në momentin e mbërritjes së njoftimit për tërheqjen nga tregu, rezulton se e gjithë sasia e importuar ishte shitur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt me numër loti L03DK dhe e kanë ende në frigorifer, të mos e konsumojnë në asnjë mënyrë. Produkti duhet të rikthehet menjëherë pranë pikës së blerjes për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për shëndetin.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



