Aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku, ka bërë deklarata të forta dhe mjaft personale në një intervistë me Grida Dumën, rreth një vit pas ndarjes së bujshme nga këngëtarja Xhensila Myrtezaj. Teksa divorci i tyre vijon të mbetet temë diskutimi publik, Kallaku ka zgjedhur të flasë hapur për zhgënjimet, besimin dhe mënyrën se si e sheh sot jetën.
Gjatë bisedës, aktori u shpreh prerë se nuk jeton më me të shkuarën, duke theksuar se ajo është mbyllur përfundimisht për të.
“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen. Unë nuk jam askushi, por prezenca ime në jetën e disa njerëzve ua ka bërë jetën më të bukur”, u shpreh Kallaku.
Me tone zhgënjimi, ai la të kuptohet se ka përjetuar mosmirënjohje nga njerëz të afërt, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar emocionalisht.
“Përveçse ju kam dhënë dorën, ju kam dhënë edhe bukën”, tha aktori, duke lënë të nënkuptohet se raportet njerëzore janë kthyer në plagë të thella.
I pyetur nga Grida Duma nëse është zhgënjyer nga njerëzit që ka pasur pranë, Bes Kallaku u përgjigj duke theksuar se besimi në Zot është forca e tij kryesore.
“Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?! Sado të zgjasë nata, do lindë dielli, do të vijë dita. Sa armiq që kemi dhe sa ‘miq’ armiq që kemi përreth”, u shpreh ai.
Aktori theksoi se pasuria e tij më e madhe janë dy fëmijët dhe prindërit, duke nënvizuar se familja është e vetmja mbështetje e pakushtëzuar në jetë. Ai foli edhe për brishtësinë e jetës, duke sjellë në vëmendje humbjen e një miku, si reflektim mbi faktin se askush nuk e ka të sigurt të nesërmen.
“Pasuria ime më e madhe janë dy fëmijët e mi, nëna dhe babai im. Ne e marrim jetën për të mirëqenë, sikur s’do na ndodhë kurrë e keqja. Ndërroi jetë edhe Shpati i shkretë. A kishte plane për sot?”, tha Kallaku.
Intervista e aktorit ka ngjallur reagime të shumta, pasi për herë të parë ai foli kaq hapur për plagët personale, zhgënjimet dhe mënyrën se si po rindërton veten pas një kapitulli të vështirë të jetës së tij.