Kalem Kulmaku i shkruan letër Servantesit…
I nderuar Miguel i famshëm i “Don Kishotit”! Ndjesë që do marrësh mundimin e të zgjohesh ca nga gjumi i përjetshëm që fle, e që herët a vonë do flemë të gjithë pa përjashtim, sa për ta lexuar këtë letër drejtuar ty i madhërishmi Servantes, dhe që po ta shkruaj jo me spërdredhjet aristokratike të letrave të kohës tuaj, por të troçtë, ashtu si di t’i shprehë dhe shkruajë një Kalem Kulmak i vërtetë. Pikënisje për këtë letër, i nderuar Miguel, u bë kjo thënia jote: “Kështu janë femrat për natyrë, përbuzin ata që i dashurojnë, dhe dashurojnë ata që i përbuzin…”. Prit njëherë zoti Miguel, se kjo ha ca diskutim, se nuk jemi nga ata ne që i kapërdijmë thëniet pa i përtypur ca. Mesa duket, i nderuar Miguel, këtë thënie do ta kesh shprehur dhe shkruar nxituar emocionalisht, kur ke dështuar me tentativat e tua për të shtënë në dorë ndonjë thëllëzë në sallonet mondane të ambienteve dhe rrethanave të kohës tënde.
Pse do thuash ti?!..Ja ta shtjellon Kalemi. E para, ne nuk e dimë për çfarë kategorie e keni fjalën; për femra të bukura e të zgjuara, për femra të bukura, por jo të zgjuara, për femra mesatare bukurie dhe zgjuarësie, apo për femra jo të bukura dhe të zgjuara?! ..Se nuk kanë fund kombinimet dhe përshkallëzimet e vlerësimit të femrave. Tani, nëse e keni fjalën për nivelin e parë, pra për femrat e bukura dhe të zgjuara, më thuaj të lutem, (do ngelet midis nesh; teje, meje dhe fejsbukut), a ka mashkull dhe burrë që nuk i dashuron pra femrat e bukura dhe të zgjuara?! Nuk ka sesi të ketë! Atëherë, cilët ngelkan këta meshkuj dhe burra që i përbuzkan femrat e bukura dhe të zgjuara?! Zero. Nga ana tjetër, mendoni i nderuar Miguel, sa burra mund të dashurojnë njëherësh një femër të bukur e të zgjuar. Sa ngacmime dhe propozime ka ajo çdo ditë. Cilin duhet të zgjedhë ajo prej meshkullinjve që i vardisen..?! Atë më fjalëbukurin?
Më gojëëmblin? Më lajkatarin..?! Apo pse ju keni qenë një shkrimtar me emër dhe dinit të shpreheshit bukur edhe ndaj femrave, t’ju zgjidhnin ato juve patjetër?!..Po pse femrat e zgjuara dhe të bukura, nuk kanë të drejtë të zgjedhin cilën duan ato të zgjedhin përveç meshkujve dhe burrave që iu qepen me fjalë të bukura dhe lajka?!..Ne nuk gjykojmë dot ndjesitë dhe perceptimet e femrave ndaj gjinisë sonë i nderuar Miguel, sepse jemi tjetër gjini, dhe nuk është e drejtë të gjykojmë ndjenjat dhe shijet e femrave, qofshin të bukura e të zgjuara, apo tjetër lloj ndaj nesh…
Mbase ato para se të joshen nga fjalëbukurit që shprehen se i dashurojnë, janë “djegur” dhe zhgënjyer pikërisht nga ca të tillë të dashuruar e të përgjëruar ndaj tyre…Femrat kanë “antena” të tjera i nderuar Miguel, ndryshe nga ne burrat, në perceptimin dhe kapjen e valëve të dashurisë…Le të mos shkojmë më tutje pastaj, kur një femër që lajkatohet dhe i thuhen fjalë aq të bukura për të, aq sa ajo të mos i besojë as vetë ato, dhe të mendojë me vete: “Çfarë budallai qenka ky! Unë nuk jam fare si ky më thotë dhe më shprehet me këto fjalë! Dhe nëse ky beson se unë mund të bie “pre” e fjalëve të bukura, joshjeve dhe dhuratave, atëhere mendon se nuk jam e zgjuar dhe le të gjejë ndonjë budallaqe që i ha këto…
Unë jam krejt ndryshe, jam ajo që vetëm unë e di si jam, çfarë dua, dhe çfarë bëj!… Ky lajkatar që m’u shprehka me fjalë kaq të bukura për mua, ose nuk më njeh, ose gënjen..Kështu që pse u dashka të mos përbuz këtë që hiqet se më dashuron pa më njohur dhe pa e ditur kush jam unë, por vetëm ajo që sheh ai, dhe nuk u dashka të mos dashurohem me atë që duket se më përbuz, por më do në heshtje dhe pa fjalë ashtu si më sheh, sepse nuk e di se cila jam unë në të vërtetë…”…Ja, me kaq po e mbyll i nderuar Miguel, se mund ta vazhdoja edhe më gjatë unë Kalemi, ti vazhdo gjumin i qetë dhe më fal që të shqetësova…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




