E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kandidatët e Kushtetueses dhe ILD-së, nisin intervistat
Lajme

Kandidatët e Kushtetueses dhe ILD-së, nisin intervistat

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri të ditur se do të nisë intervistat me kandidatët e përzgjedhur gjatë fazës së parë për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Gjatë ditës së sotme, KED do të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku do të shpallë procedurën e pikëzimit dhe nisjen me intervistat e kandidatëve.

“Në kushtet kur është përmbyllur procedura e verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore për kandidim për të gjithë kandidatët në të gjitha vendet vakante, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 7.8.2019, do të zhvillojë mbledhjen e radhës me këtë rend dite: Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve në vendet vakante të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Shpallja e fillimit të procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të shpallur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi”, njoftoi KED. Gjatë kësaj mbledhjeje, do të përcaktohet kalendari i intervistave me kandidatët e lejuar për kandidim për të dyja institucionet.

KED-2019-600x349

INTERVISTAT

I pari që do të dalë para Këshillit, është prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili kandidon për një vend në Gjykatën Kushtetuese. “Relatimi për procedurën e ndjekur për vlerësimin e kandidaturës dhe zhvillimi i intervistës, sipas ligjit, me kandidatin Besnik Muçi, i kandiduar për vende vakante në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi”, njoftoi KED. Pasi të gjithë kandidatët të intervistohen, KED do t’i pikëzojë ata dhe më pas listën me vlerësimet përkatëse do të dërgohen në Kuvend ku do të votohen.

KANDIDATËT E KUSHTETUESES

Këshilltarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, është një nga kandidatet e konfirmuara për të vazhduar garën për të qenë gjyqtare e kësaj Gjykate. Vorpsi ka një karrierë më shumë se 10- vjeçare si këshilltare në Kushtetuese, ajo është e angazhuar gjithashtu edhe në mësimdhënie. Një tjetër këshilltare kërkon të bëhet gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, ajo është Elsa Toska.

Me një karrierë prej 12 vitesh si këshilltare, Toska ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe ka doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmëskomisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Fiona Papajorgji është kandidatja tjetër e zgjedhur për të vazhduar garën. Papajorgji prej vitesh punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë paralelisht ka dhënë edhe mësim në universitete private.

Gjyqtarja e Tiranës, Regleta Panajoti, është një gjyqtare karriere. Që prej vitit 2000, ajo ushtron detyrën e gjyqtares dhe është konfirmuar në shkallën e parë të vetingut. Në garë janë edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili e ka nisur karrierën në vitin 2002 në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, Muçi kaloi në Policinë e Shtetit ku mbajti postin e drejtorit të Drejtorisë kundër Krimit Financiar deri në gusht të vitit 2008. Prej asaj kohe, ai ushtron detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ish-kryeinspektorja e KLD-së, Marsida Xhaferllari, e ka filluar karrierën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier. Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.