E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kandidati i opozitës në Kukës Sinamati: Unë kam hyrë për të fituar, kjo nuk është një betejë lokale, por një betejë për Shqipërinë
Politikë

Kandidati i opozitës në Kukës Sinamati: Unë kam hyrë për të fituar, kjo nuk është një betejë lokale, por një betejë për Shqipërinë

Admir Sinamati, kandidati i opozitës, i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Kukësit, gjatë një interviste në ‘A show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur rreth problematikave që shqetësojnë këtë rajon.

Në hyrje të intervistës së tij, Sinamati u shpreh se e ka peshuar mirë vendimin për të kandiduar në Kukës, duke cituar edhe një thënie të zonës së Lulës.

‘Ka një postulat në Kukës, që ‘burri i mirë, kurrë nuk ngutet, as prej frike, as prej tute’. Të jesh i butë, i qetë, i urtë, i matur, është cilësi, është veti e Lumës në përgjithësi, lumjanëve në veçanti sepse i ka sprovuar jeta, në beteja të ndryshme, si në kushtet ku ka jetuar në ato treva si në kushte natyrore dhe njerëzore.

Populli i Kukësit ka gjetur vetveten, sheh vetveten dhe do të gjejë vetveten’, tha Sinamati.

Duke folur për fenomenin e shpopullimit, Sinamati u shpreh se një nga shkaqet kryesore të largimit të të rinjve nga Kukësi, është diskriminimi i bërë nga qeveria këtij rajoni. Ndërsa nëse mund të ndalet ky fenomen, ai tha se është diçka e mundshme’.

‘Absolutisht e mundshme, e realizueshme, së paku të ndalet shpopullimi. Ka disa arsye për të cilat ka ndodhur ky fenomen, trishtues, tipik shpopullues. Arsyeja kryesore është distancimi i qeverisë, ose largimi i qeverisë nga Kukësi. Distancimi nga Kukësi, falë mosinteresimit ose falë një pengese, një tipari diskriminues rajonal. E them me bindje, vërtetësi, sepse faktet flasin vetë.

Kukësi doli nga izolimi gjeografik në vitin 2009, kur u hap Rruga e Kombit, nyja kryesore lidhëse Shqipëri-Kosovë, nga e cila përfitoi edhe rajoni i Kukësit. Vetëm pak vite kuksianët e shijuan këtë vepër madhore dhe menjëherë pas rikthimit të sektit të rilindjes në pushtet, kuksianëve i’u vu një tra, një portë hekuri. Pavarësisht reagimit, revoltës kuksiane, përsëri u gjetën mekanizma që ajo portë të jetë e mbyllur, qoftë edhe simbolike.

Pastaj interesimi i qeverisë me projekte konkrete, punësimi, projekte mbështetëse për çështjet sociale. Mjafton të thuhet një fakt se, menjëherë me kthimin e të majtës në pushtet, në Kukës janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike 20 mijë persona.

Tani në Kukës nuk ka asnjë projekt të mirëfilltë punësimi. Gjithçka që është bërë në rajonin e Kukësit në përgjithësi, janë bërë disa investime me bazë elektorale dhe përfituese korruptive.

Pretendohet se në Kukës, e kam dëgjuar nga rivali, ish-kryetari i bashkisë Kukës, se qeveria ka investuar rreth 100 mln euro. Paramendoni nëse këto para vërtetë do të ishin lëvruar në rajonin e Kukësit, se çfarë baze financiare për ndërtimin e një jete normale do të ishin. Por e vërteta është ndryshe dhe largimi i të rinjve të Kukësit nga vendlindja është vetëm falë këtij projekti diskriminues ndaj kësaj treve’, tha në SYRI TV, Admir Sinamati, kandidat për Bashkinë e Kukësit.

Admir Sinamati, kandidati i opozitës, i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Kukësit, gjatë një interviste në ‘A show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për fushatë elektorale për zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë bisedës me Adi Krastën, Sinamati u shpreh se, zgjedhjet e 14 majit nuk janë një betejë lokale, por janë një betejë për ndryshimin e Shqipërisë.

‘Sllogani ‘Ndryshimi është në duart e tua’ duhet të shikohet edhe në një kontekst tjetër. Nuk është thjeshtë që vetëm qytetarët mund ta bëjnë më të mirë, ose mund ta mbajnë peshën e përgjegjësisë. Për këtë janë përfaqësuesit politikë që i kanë dalë në ballë kësaj pune. Ne nuk jemi disa persona që na nxori rastësia, apo na katapultuan.

Ne jemi njerëz që kemi marrë përsipër që falë predispozicionit tonë qytetar, intelektual kemi shndërruar veten në misionarë në këtë proces. Ne jemi kandidatë që dalim nga zgjedhje të brendshme brenda PD-së, sepse kemi kaluar procesin e primareve.

Unë vij me votat e 1 mijë demokratëve kuksianë. Dal në terren për ti përfaqësuar ato, për të fituar për ato, për Kukësin dhe për Shqipërinë. Ne nuk e shohim fushatë lokale tipike, sepse po të shikosh kualitetet që garojnë për pushtetin vendor, janë kualitete.

Përveç se kanë marrë votëbesimin e anëtarësisë së PD-së, vijnë nga fusha specifike, të shërbimeve të ndryshme. Sita e demokratëve është një sitë e hollë. Janë konsoliduar, pjekur ai anëtarësi dhe dinë kë zgjedhin dhe vënë përpara për ti prirë drejt fitores.

Unë dhe gjithë kolegët e mi kandidatë, kemi dalë nga ky proces, dhe përveç se nga duart e elektoratit, ndryshimi është edhe detyrim i punës tonë të përditshme, i angazhimit tonë konkret në fushatë elektorale për ta bindur qytetarin se ajo për të cilën ne po investohemi çdo minutë, është e drejta është detyrë dhe është përgjegjësi mbi të gjitha.

Unë kam hyrë për të fituar. E kam bindje fitoren dhe nuk ka zgjedhje të dytë, unë nuk kam luksin të humbas. Jam i detyruar të fitoj për qytetarët e Kukësit, për Kukësin dhe për Shqipërinë. Nuk është thjeshtë një betejë lokale, e shoh përtej një beteje lokale.

14 maji duhet ti sjellë Shqipërisë cakun e ndryshimit të madh. Nuk mund të ndryshojë as Kukësi, as një qytet, apo zonë e Shqipërisë nëse ne nuk punojmë me mish e me shpirt për të ndryshuar realitetin, për të përmbysur regjimin, i cili ka mbajtur peng Shqipërinë gjatë këtyre viteve’, theksoi Admir Sinamati, kandidati për bashkinë e Kukësit, gjatë bisedës së tij me Adi Krastën në SYRI TV.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.