Kandidati i Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha i përgjigjet Erion Veliajt: Je mashtrues ordiner, jep përgjigje për inceneratorin e Tiranës
Kandidati i BF për kryetar të bashkisë së Rrogozhinës në zgjedhjet e pas disa ditëve, Shkëlqim Hoxha, ka hapur një debat të ashpër me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit u shpreh se Shkëlqim Hoxha i ka çuar fjalë se do të tërhiqet në rast se Veliaj i paguan shpenzimet e bëra në fushatë.
“Ky që kemi përballë, më çoi fjalë para disa ditësh, më tha: ‘Kam harxhuar shumë në fushatë, po m’i kompensuat, unë iki vetë’. Meqë e donte përgjigjen nga unë, po ia jap live: Ne pazar me bixhozxhinjtë, që e trajtojnë miletin si plaçkë për t’ia çuar Saliut dhe për t’i thënë se “ja i bleva kecat” nuk bëjmë. Ne nuk jemi parti pazaresh. Fakti që ai po kërkon pazar, do të thotë se nuk i ka ikur mentaliteti i bixhozxhiut”, u shpreh Veliaj.
Nuk ka vonuar përgjigja e vetë Shkëlqim Hoxhës, që ka mohuar pretendimet e Veliajt dhe e ka cilësuar si një mashtrues ordiner dhe si përgjegjës të aferës së inceneratorit të Tiranës. “Veliaj është mashtrues ordiner. Erioni bën mirë që të përgatitet të japë llogari për inceneratorin e Tiranës dhe mos të bëjë lajme politike. Nuk ka burrë none që të më blejë.
Jo po unë jam në Maldive me pushime tani sipas Veliajt. Unë takoj njerëz qytetarët, derë më derë, i takoj kudo. S’kam komunikime rivalin, s’kam rival, jam i përqendruar me Erion Veliajn. Këtu ka zbarkuar gjithë qeveria, e kanë fshehur rivalin.
E di sa e vërtetë është? Sa fiqtë e Erionit. A kanë ndonjë provë këta njerëz? Vetëm me trillime. Është Veliaj që ka sjellë këtu biznesmenë e komplet administratën. E gjitha administrata është në Rrogozhinë, e gjithë qeveria është në Rrogozhinë. Jam i gatshëm të jem kudo. SPAK-u të hetojë Erionin, se ka ardhur me thasë me para në Rrogozhine, unë jam me duar në xhepa. Jam i gatshëm për debat në çdo kohë në çdo vend”, përfundoi Hoxha.
Zgjedhësit në Bashkinë Rrogozhinë u thirrën sërish në votime, pasi Kolegji Zgjedhor në fund të betejës ligjore të kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxhës pranoi argumentimet e tij se procesi zgjedhor pati shkelje, duke shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 14 majit e duke urdhëruar përsëritjen e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



