Kaosi me rrugët, Konfindustria kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria dhe SPAK

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Konfindustria ka reaguar ashpër pas bllokimit prej pesë ditësh të aksit rrugor që lidh Librazhd me Prrenjas, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.

Sipas organizatës, ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të shkaktojë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimin vendas. Për këtë arsye, Konfindustria kërkon që Qeveria dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.

Në reagimin zyrtar theksohet se, nëse gjendja nuk zgjidhet shpejt, ekonomia kombëtare dhe bizneset rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje të kostove dhe pasoja të rënda që mund të çojnë deri në falimentime.

Konfindustria paralajmëron gjithashtu se qytetarët mund të detyrohen të drejtohen drejt vendeve fqinje për furnizime me ushqime dhe karburant, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Organizata thekson se dëmi ekonomik dhe financiar mund të jetë edhe më i rëndë në planin afatgjatë, pasi rrezikohet pozicioni i Shqipërisë si një vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në korridorin Lindje–Perëndim.

Në njoftimin për shtyp, Konfindustria vlerëson se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare drejt Korçë, e cila përkon me gjurmën e Korridori VIII, si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, po e lënë pothuajse të shkëputur Juglindjen e vendit.

Sipas Konfindustrisë, kjo situatë përbën goditjen më të rëndë në kohë paqe për ekonominë dhe sigurinë kombëtare. Organizata thekson se zhvillimet e fundit rrezikojnë të dobësojnë ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, duke i dhënë avantazh konkurrues vendeve të rajonit, me në krye Greqia, dhe duke ndikuar edhe në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO.

Reagimi është firmosur nga administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Njoftim për shtyp

Konfindustria vlerëson, se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare me Korçën, që përkon me gjurmën e Korridorit 8 si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, duke lënë pothuaj të shkëputur Juglindjen e vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare.

Konfindustria kërkon, që duke vlerësuar sa më sipër, Qeveria dhe SPAK duhet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.

Ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendor, në rast të moszgjidhjes së shpejtë të gjëndjes, rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim. Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi.

Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim.

Sa më sipër zhvleftëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik, si një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë, në favor të konkurentëve tregëtarë rajonalë me në krye Greqinë, përfshirë edhe detyrimet ndaj NATO-s.

Gjergj Buxhuku

Administrator i Përgjithshëm

Publikuar nga Publik Media