E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kapet ‘skifteri’ me biçikletë që bënte ‘kërdinë’ në Durrës (VIDEO)
Lajme

Kapet ‘skifteri’ me biçikletë që bënte ‘kërdinë’ në Durrës (VIDEO)

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 37-vjeçar, i cili akuzohet se ka kryer disa vjedhje me thyerje në zona të ndryshme të qytetit bregdetar. Burime zyrtare bënë me dije se i arrestuari është shtetasi V. K., banues në Tiranë.

Operacioni policor, i koduar “Refleksi”, u zhvillua pas disa javësh hetime dhe administrimi pamjesh filmike që çuan në identifikimin e autorit. Sipas policisë, 37-vjeçari lëvizte me biçikletë nëpër lagje të ndryshme të Durrësit, ku thyen xhamat e makinave të parkuara dhe vidhte para, laptopë apo sende personale të drejtuesve të tyre.

Gjatë operacionit, ai u kap në flagrancë teksa tentonte të vidhte një automjet tjetër dhe u arrestua menjëherë nga efektivët. Hetimet kanë zbuluar se ai është përgjegjës për të paktën pesë vjedhje të ndodhura në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit.

Sipas të dhënave të policisë, viktimat janë shtetasit Xh. B., J. B., S. Q., L. K. dhe Xh. M., ndërsa nga automjetet e tyre janë marrë shuma parash, pajisje elektronike dhe sende me vlerë.

Policia dyshon se 37-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në disa raste të tjera të ngjashme, ndaj hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale.

Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.