Karamuça i Vorës merr miliona për Liqenin e Tiranës, ofroi sa 96% e fondit limit
Duket se Liqeni Artificial i Tiranës paska nevojë për rrugë të reja që të kalojnë këmbësorët për shëtitje. Natyrisht kjo do të thotë se do të prishet edhe ai pak gjelbërim egzistues i mbetur dhe do të shtrohet beton për realizimin e këtyre rrugëve të reja.

Absurdi është i qartë, të prishim gjelbërimin dhe në vend të tij të ndërtojmë beton në mënyrë që të kalojnë njërëzit dhe të shohin gjelbërimin… e mbetur. Dhe këto rrugë të reja nuk bëhen ndryshe përveçse me tender.

Në rastin konkret ai mban numrin e referencës REF-39359-08-19-2022 dhe ka si objekt “Ndërtimi i Rrugëve të Brendëshme në PMLAT”, ku PMLAT i referohet termit Parku i Madh i Liqenit Artificial Tiranë. Por nëse shikojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi vihet re se mund të konsiderohet si i dyshimtë për të paktën dy arsye.

Në tender kemi një pjesëmarrje tepër të limituar të konkurrencës pasi kanë marrë pjesë vetëm dy bashkime operatorësh biznesi. Nga këto, fitues është shpallur oferta më e lartë. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “ G&P ” në pronësi të Shefki, Bashkim dhe Safet Karamuça & “L.T.E CONSTRUTICION” në pronësi të Ilir, Erjon dhe Artur Çaushaj për vlerën 15,217,073 lekë të reja pa TVSH ose rreth 180 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nga ana tjetër, nëse krahasojmë këtë vlerë fituese me vlerën e fondit limit të tenderit përballemi me një surprizë. Diferenca mes tyre është thuajse e papërfillshme, duke qenë gati të njëjta. Madje për saktësi, oferta fituese rezaulton të jetë sa 96% e fondit limit të tenderit. Ky fakt i rrit akoma më tepër dyshimet se kemi të bëjmë me një tender me fitues të paracaktuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



