KATUNDI I BUDALLENJVE
Na ishte një katund i vogël që njihej si Katundi i Budallenjve. Kishte edhe një statistikë interesante: Numri i banorëve ishte i barabartë me numrin e gomarëve. Por edhe më i çuditshëm ishte fakti se njerëzit e tij nuk dinin të flisnin me zë të ulët. Aq sa shpesh e bërtitura e tyre ngatërrohej më pëllitjen e gomarëve dhe të dyja dëgjoheshin deri në fshatrat fqinje.
Edhe punët në katund shkonin si mos më keq, po për këtë nuk merakosej njeri. Më me seriozitet e shikonin problemin autoritetet e larta të vendit, të cilat kishin arritur në përfundimin se gjithë të këqijat e fshatit vinin nga budallenjtë e shumtë dhe se hapi i parë efikas duhej të ishte evidentimi i tyre emër për emër.
Kështu vendosën të dërgojnë në fshat, për ta parë gjendjen nga afër, një komision prej tre vetash. Katundi e priti komisionin si nuk ka më mirë. Me këngë e valle, me të ngrëna e të pira.
Të nesërmen e mbërritjes Komisionin e priti edhe Kryeplaku i katundit. Kryekomisioneri e tha troç që në fjalinë e parë qëllimin e vizitës:
– Duam të dimë sa është numri i saktë i budallenjve të fshatit!
– Nuk jam kundër, – tha kryeplaku, – por kjo është e pamundur…
– Pikërisht për të bërë të pamundurën të mundur kemi ardhur nga ana e anës, – e ndërpreu Kryekomisioneri. – Ndryshe jo vetëm fshati juaj nuk do të ndreqet, por budallenjtë tuaj do mbushin vendin…
– Nuk jam kundër, – tha Kryeplaku, – kjo është e mundur.
Kryekomisioneri u hutua për një çast nga përgjigjja, por nuk e humbi toruan. I kërkoi Kryeplakut listën e banorëve të fshatit.
I pari i katundit nxori nga sirtari dhe shtriu mbi tavolinë një defter të zhubrosur e të llangosur me bojë.
Kryekomisioneri i rrasi tjetrit në dorë një shënjues dhe i tha, gati me ton urdhërues:
-Shënjo me bojë të kuqe mbi emrin e çdo budallai…
– Nuk jam kundër, – foli Kryeplaku. – po statistika kemi vetëm për gomarët.
Kryekomisionerit po i mbaronte fitili i durimit:
– Nuk kam ardhur për katërkëmbëshit!
Kryeplaku, në vend që të fliste, ngriti supet.
Të ardhurin e kishin udhëzuar të bënte kujdes. Lexoi në bllokun e porosive nga lart aksiomën e parë: “Asnjë budalla nuk e pranon veten për të tillë, përkundrazi e drejton gishtin nga të tjerët”. Prandaj pyeti veten, pse Kryeplaku të mos ishte një prej tyre.
Përplasi shënjuesin mbi tavolinë dhe ktheu krahët.
Në mbrëmje, kur katundi fjeti – asnjë katundar nuk rrinte zgjuar pas pëllitjes së gomarit të fundit – komisioni u mblodh në fshehtësi. Për tri orë, të tre burrat rrahën mendime se si mund të regjistroheshin dykëmbëshit e fshtatit. Dhe varianti që mori konsensusin mbështetej aksioma e dytë: “Budalla është njeriu që ka më shumë besim te vetja”.
Kështu komisioni, sipas një plani, vendosi të testojë tërë fshatin. Të gjithë do të merrnin nga një gomar dhe do hidheshin në anën tjetër të lumit. Fshatarët që do të hipnin mbi gomar për të kaluar lumin, do regjistroheshin te kolona e njerëzve normalë. Ata që do kalonin lumin bashkë me gomarin përdore, do shkruheshin si gjysmëbudallenj. Vetëm ata që do ngarkonin gomarin mbi kurriz për të kaluar lumin, ishin budallenj.
I entuziazmuar Kryekomisioneri nuk priti pëllitjen e gomarit të parë për të filluar nga zbatimi i planit. Kërkoi të takonte menjëherë Kryeplakun. Dhe e urdhëroi se si duhet të vepronte.
…
Në mëngjes i gjithë katundi kishte dalë në breg të lumit. Natyrisht që çdo katundar mbante për kapistre edhe një gomar. Përjashtim bënte Kryeplaku: Shtrëngonte në duar katër gomarë, dy andej e dy këtej.
– Po këta ç’i ke? – e pyeti Kryekomisioneri.
– Një për vete dhe tre për ju, – tha tjetri me një shprehje kënaqësie që dukej se i vinte nga thellësia e rropullive.
Habia e përzier me inatin nuk e pengoi Kryekomisionerin të kujtohej se në fshat numri i banorëve ishte i barabartë me numrin e gomarëve.
Dhe gati sa nuk thirri:
– I gjithë fshati duhet të kalojë në testin e inteligjencës. Pse mungojnë tre fshatarë?
Kryeplaku ngriti supet
Tre burrat e komisionit mbetën si guhakë. I pari i katundit ktheu kokën, një herë majtas dhe një herë djathtas, nga gomarët për të treguar se përsenë në këtë fshat e dinë njëlloj të gjithë, pavarësisht nga numri i këmbëve që kanë. Po kur u bind gomarët nuk kishin ndërmend të flisnin, detyrua të thyejë heshtjen:
– Te ne, njeriu pa gomar nuk i duhet më katundit…
– Edhe? Ku janë tre fshatarët tani? – thanë thuajse në një gojë të tre komisionerët, sikur të parandienin diçka të keqe.
Kryeplaku, pa e kthyer kokën nga ata, foli me një qetësi për t’u admiruar:
– Kur s’e dini ju që vini nga lart. Ne këtu në fshat kemi statistika vetëm për gomarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



