Kërcënohet me shpërthim një biznes në Peshkopi, kërkohen 50 milionë lekë
Një biznes në Peshkopi është bërë objekt i një kërcënimi të rëndë, ndërsa autorët dyshohet se kanë kërkuar 50 milionë lekë në këmbim të mosshpërthimit të një pajisjeje të dyshuar si eksploziv.
Kërcënimi është përcjellë përmes një kutie picash, brenda së cilës, përveç mesazhit me kërkesën për shumën e parave, janë gjetur edhe materiale që dyshohet se mund të jenë pjesë e një pajisjeje artizanale shpërthyese.
Pas sinjalizimit, policia ka ndërhyrë menjëherë duke izoluar një zonë në dalje të qytetit. Perimetri është mbajtur i rrethuar për rreth tre orë, ndërsa për verifikimin e materialeve janë angazhuar edhe specialistë të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve shpërthyese, të ardhur nga Tirana.
Për arsye sigurie, disa biznese pranë zonës së karburantit janë mbyllur përkohësisht, ndërsa qarkullimi i automjeteve është devijuar dhe është orientuar përmes unazës së Peshkopisë.
Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të kërcënimit.
Ndërkohë, mbetet ende për t’u përcaktuar nëse materialet e gjetura në kuti përbëjnë realisht lëndë shpërthyese dhe nëse ngjarja lidhet me një tentativë për zhvatje ndaj pronarit të biznesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



