Kërkesa të çmendur për bileta për ndeshjen Shqipëri-Angli
Mbi 100.000 aplikime nga tifozët
Kombëtarja shqiptare do të mbyllë fazën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 me një përballje prestigjioze ndaj Anglisë, më 16 nëntor, në “Arenën Kombëtare”. Edhe pse “Tre Luanët” e kanë siguruar kualifikimin për në finalet e turneut, përballja e fundit e grupit merr vlera të veçanta për kuqezinjtë, që ndodhen në garë për një vend në play-off.
Aktualisht, Shqipëria mban vendin e dytë në grup me 11 pikë pas gjashtë ndeshjesh, një më shumë se Serbia. Në raundin parafundit, më 13 nëntor, Anglia do të përballet me Serbinë në shtëpi, ndërsa Shqipëria luan në transfertë kundër Andorrës. Një kombinim i mundshëm i fitores së anglezëve me suksesin e kuqezinjve në Andorrë do të zyrtarizonte vendin e dytë për Shqipërinë, duke garantuar kalimin në fazën e mëtejshme.
Nëse ky skenar realizohet, atëherë ndeshja e fundit kundër Anglisë në Tiranë do të shërbejë më shumë si një spektakël përpara publikut vendas dhe si një moment historik për kombëtaren. Por ndërsa skuadra synon të festojë përpara tifozëve të saj, vëmendja është zhvendosur te një tjetër problem i madh: kërkesa e jashtëzakonshme për bileta.
Kapaciteti prej rreth 22 mijë vendesh i “Arenës Kombëtare” është shumë larg për të përballuar interesin për këtë sfidë. Që nga hapja e aplikimeve më 16 tetor, faqja zyrtare ku bëhet shitja online është përballur me mbi 100 mijë kërkesa, duke e tejkaluar me disa herë kapacitetin real të stadiumit.

Shpërndarja e biletave është bërë përmes një sistemi me përparësi për Klubin e Tifozëve të Kombëtares. Çdo aplikues ka të drejtë të blejë maksimumi katër bileta, ndërsa çmimet variojnë në bazë të sektorëve të stadiumit.
Zona më e lirë, kryesisht tek këndet pranë goditjeve të këndit, ofron bileta me çmimin 2500 lekë. Më pas vijnë tribunat pas portave, me çmime nga 3500 lekë. Tribunat ballore arrijnë deri në 15.000 lekë në kategorinë më të mirë, ndërsa sektori i mesëm ka bileta prej 9000 lekësh. Biletat në tribunat VIP shkojnë nga 25.000 deri në 50.000 lekë, në varësi të afërsisë me qendrën e fushës.







Pavarësisht se këto çmime konsiderohen të larta për standardet shqiptare, kërkesa mbetet jashtëzakonisht e lartë. Kjo ka ngjallur sërish diskutimin për nevojën e ndërtimit të një stadiumi më të madh në kryeqytet, i cili do të mund të përballonte ngjarje të këtij niveli.
Për të frenuar tregun e zi dhe abuzimet me shitjen e biletave, janë ndërmarrë masa konkrete. Çdo biletë është e gjurmueshme dhe e lidhur me të dhënat personale të blerësit. Raste të rishitjes së biletave në rrugë jozyrtare janë identifikuar dhe penalizuar, përfshirë revokimin e biletës dhe ndalimin e aplikimeve të mëtejshme për individët e përfshirë.
Një prej aplikantëve, i cili kishte publikuar ofertën për rishitjen e biletës së tij, është zbuluar dhe bileta në fjalë është shpallur e pavlefshme. Gjithashtu, profili i tij është përjashtuar nga çdo mundësi e ardhshme aplikimi për bileta ndeshjesh, duke u vendosur në listën e zezë të sistemit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



