E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Këshilli i Lartë Gjyqësor: Po rritet trysnia ndaj gjyqtarëve
Lajme

Këshilli i Lartë Gjyqësor: Po rritet trysnia ndaj gjyqtarëve

Të respektohet pavarësia e gjyqësorit!

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar për atë që e cilëson si rritje të trysnisë ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor në vend.

Përmes një deklarate zyrtare, KLGJ shprehet se mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, veçanërisht nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, duke i konsideruar ato si kontribut në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë.

Megjithatë, sipas Këshillit, kohët e fundit është konstatuar me shqetësim një tendencë në rritje e “trysnisë” ndaj gjyqtarëve, si dhe deklarata publike me ndikim të dukshëm në opinionin publik, të cilat, përveçse mund të cenojnë të drejtat e tyre për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë edhe kryerjen e funksioneve ligjore.

KLGJ thekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Në respekt të detyrës së tij kushtetuese, Këshilli deklaron se qëndron në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor, duke u bërë thirrje subjekteve publike dhe private të shmangin deklarata që mund të ndikojnë mbi drejtësinë.

Në deklaratë nënvizohet se, si në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit dhe ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur, i çliruar nga çdo formë ndikimi dhe i nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vë në dukje gjithashtu se respekton misionin e medias për informimin e publikut mbi veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por pret që edhe media të ruajë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarëve, duke shmangur gjuhën apo imazhet fyese.

Në fund, KLGJ rikujton se kundërshtimi i një vendimi gjyqësor duhet të bëhet përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, ndërsa çdo ankesë për sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.