E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kina ndalon “gjithologët” e internetit dhe ndoshta nuk ka faj
Bota

Kina ndalon “gjithologët” e internetit dhe ndoshta nuk ka faj

Në një kohë kur rrjetet sociale janë kthyer në universitete të improvizuara, ku çdo njeri që di të flasë me vetëbesim mund të bëjë rolin e profesorit, mjekut, ekonomistit apo filozofit, Kina ka marrë një vendim drastik: ka ndaluar “gjithologët” e internetit.

Sipas rregullores së re të prezantuar nga qeveria kineze, influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes nuk mund të publikojnë materiale që nuk lidhen me fushën e tyre të specializimit. Pra, një kuzhinier mund të flasë për receta, por jo për politikë ndërkombëtare; një stilist mund të komentojë modën, por jo ekonominë; dhe një komedian s’mund të japë këshilla për investime bursiere.

Në pamje të parë, ky vendim duket si një cenim i lirisë së shprehjes. Por në thelb, është edhe një pasqyrë e një problemi global që ka shpërthyer prej kohësh: inflacioni i opinionit. Sot, kushdo me një mikrofon, një kamerë dhe një llogari TikTok-u ndjehet i autorizuar të flasë për gjithçka  nga vaksinat tek politika monetare, nga luftërat tek feminizmi  pa asnjë njohuri reale.

Në një botë ku më shumë njerëz vdesin nga sheqeri se nga uria, ku dezinformimi qarkullon më shpejt se faktet, dhe ku “më shumë klikime” shpesh nënkupton “më pak cilësi”, ndoshta nuk është aq e çuditshme të mos jesh plotësisht kundër Kinës në këtë pikë.

Po, është një shkelje e standardeve të demokracisë perëndimore  por njëkohësisht është një diagnozë e saktë e realitetit tonë dixhital: liria e fjalës është shndërruar në liri për të mashtruar, manipuluar dhe lodhur publikun me zhurmë.

Në vendet demokratike, askush nuk do të guxonte ta ndalonte një “gjitholog”, sepse liria është e shenjtë. Por ndoshta, pas çdo “lirie absolute”, ka një kaos absolut të informacionit, ku e vërteta mbytet mes opinioneve të pafundme.

Në fund, vendimi i Kinës ngre një pyetje që edhe shoqëritë perëndimore duhet ta mendojnë seriozisht:

A duhet të kemi liri totale për të folur për gjithçka, apo përgjegjësi për të folur vetëm për atë që dimë?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.