Klodian Allajbeu paraqitet në SPAK për dy orë
Hetimet lidhen me koncesionet e shëndetësisë
Tiranë – Klodian Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan dhe aktor kryesor në disa kompani të fuqishme në sektorin shëndetësor, është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka qëndruar për rreth dy orë.
Ende nuk dihet arsyeja zyrtare e thirrjes së tij në SPAK, por Allajbeu është përmendur shpesh në hetimet që lidhen me dy nga koncesionet më të debatuara në sektorin e shëndetësisë: atë të laboratorëve dhe shërbimit të dializës. Gjithashtu, emri i tij është përmendur edhe në hetimin për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë marrjes në pyetje, prokurorët kanë pyetur Veliajn edhe për një udhëtim të tij drejt Kinës me Klodian Allajbeun. Kryebashkiaku është shprehur se nuk e mban mend dhe se duhet të verifikojë kush ka mbuluar shpenzimet për këtë udhëtim.
Pak ditë më parë, Allajbeu u fotografua me emisarin e presidentit amerikan, Richard Grenell, por kjo duket se nuk e ka ndihmuar të shmangë thirrjen nga SPAK.
Allajbeu është cilësuar nga kritikat mediatike si një nga personazhet më me ndikim në sektorin e shëndetësisë, ndërsa ndaj tij ka pasur akuza të vazhdueshme për keqpërdorim të fondeve publike. Megjithëse ka pasur denoncime të shumta, ai nuk është hetuar më parë për skemat e mundshme të pastrimit të parave dhe manipulimit të tenderave.
SPAK nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë zhvillim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



