Komisioni i Ekonomisë miraton nen për nen pr.ligjin për kanabisin mjekësor
Sot, Komisioni i Ekonomisë miratoi nen për nen projektligjin për kanabisin mjekësor, megjithëse u përball me kritika nga disa anëtarë të mazhorancës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehu rezerva ndaj këtij projektligji dhe kërkoi që në dokument të përcaktohet me saktësi sipërfaqja e kultivuar me kanabis mjekësor. Ai argumentoi se mungesa e kufizimeve mund të sjellë shfrytëzime të paligjshme dhe situata të paqëndrueshme në vend.
“Jam kategorikisht kundër që në këtë ligj mos të ketë kufizim për sipërfaqen që do të mbyllet, për kultivimin e kanabisit për kanabisin mjekësor. Ta lësh të lirë me ligj, do të thotë ta lësh të lirë dhe në qeveri. Që do të thotë se në kushtet kur ky vend ka kaluar ngjarje të tilla, siç është ajo në Malësinë e Madhe që është bërë kënga nga këtu deri në Britani, veçanërisht me Kërp, kjo është e papranueshme. Ndaj propozimi im është që të vendoset kufizimi në sipërfaqe. Për mos t’i dhënë mundësi zotit Mondi që të bëjë humor kohë pas kohe, propozoj të bëhen përcaktimet”, u shpreh Braçe gjatë fjalës së tij në Komision.
Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, premtonte se do të merrej parasysh kërkesa e deputetit Braçe dhe se sipërfaqja totale e mbjelljes së kanabisit do të jetë e rregulluar, ndërsa Braçe kërkonte që mos të jetë më e madhe se 200 hektarë.
Për momentin, projektligji për kanabisin mjekësor ka kaluar Komisionin e Ekonomisë me miratim, por në ditët në vijim do të diskutohet më gjerësisht në Kuvend për të arritur një version të përfunduar dhe të pranueshëm nga të gjithë anëtarët e Kuvendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



