Kontrabandonin medikamente, dy të arrestuar në Tiranë

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Medikament”.  Të arrestuarit janë Ermir Haxhiaj, 46 vjeç dhe Qazim Haka, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, të përfshirë në kontrabandën e ilaçeve.

Bëhet me dije se vlera e medikamenteve  të kontrabanduara ishte rreth 17 mijë euro.Ata i merrnin ilaçet kontrabandë nga Greqia dhe Turqia.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor “Medikament”. Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia.  

Publikuar nga Publik Media