Kontrollorët dhunojnë qytetarët në linjën e ish-Uzinës së Autotraktorëve
Sot në mëngjes, në linjën e ish-Uzinës së Autotraktorëve, është regjistruar një incident që ka shqetësuar qytetarët dhe ka ngjallur debate mbi sjelljen e punonjësve të transportit publik.
Sipas pamjeve dhe dëshmive të pasagjerëve, një i moshuar është dhunuar fizikisht nga një kontrollor, ndërsa një person tjetër që u përpoq të ndërhynte për ta mbrojtur është sulmuar gjithashtu.
Në video shihet qartë sjellja agresive dhe e papranueshme e kontrollorit. Pasagjerët identifikojnë dy punonjës kontrolli: njëri me xhaketë të kuqe dhe tjetri me xhup blu. Sipas dëshmitarëve, i moshuari dyshohet se nuk kishte paguar biletën, por ata theksojnë se kjo nuk e justifikon dhunën e ushtruar ndaj tij.
“Pershendetje JOQ, sot qe ne mengjes u bem deshmitare te nje ngjarje shume te rende. Kontrollori i linjes se ish-uzines se autotraktoreve dhunon barbarisht te moshuarin dhe nje person tjeter i cili nderhyri per te mbrojtur te moshuarin. Ne video shihet qarte menyra kafsherore e sjelljes se kontrollorit. Keto sjellje jane te papranueshme,” shkruan qytetari denoncues.
Dëshmitarët pohojnë se i moshuari është lënduar dhe gjakosur pasi është shtyrë nga autobusi dhe ka rënë në tokë, ndërsa më pas vazhdoi të shajë kontrollorët.
Qytetarët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtij rasti, por edhe për ngjarje të ngjashme që ndodhin shpesh në transportin publik, duke theksuar nevojën për kontrolle më të rrepta dhe trajnim të punonjësve të transportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



