Koronavirusi/ Ish-presidenti Topi: Në fillim Rama e menaxhoi mirë situatën, por më pas u soll si amator, e përdpri politikisht
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thënë se kryeministri Rama në fillim e menaxhoi mirë situatën e pandemisë, por më pas u soll në mënyrë amatoreske, duke e përdorur politikisht virusin covid-19.
Ai tha se duhej të dëgjoheshin më tepër ekspertët, megjithëse sipas ish-presidentit, edhe këta të fundit nuk kanë besueshmëri 100%, pasi janë të lidhur pas një karrigeje në administratën shtetërore.
“Unë mendoj që në fillim Rama e menaxhoi mirë, e nisi mirë. Bëri ato që çdo kryeministër duhet të bënte për vendin. Por më pas e keqpërdori dhe e menaxhoi në mënyrë amatoreske. Ta fusësh popullin në psikozë, kur pandemia është në rënie, madje është në fund, është kriminale. Në fazën e dytë Rama e ka interpretuar politikisht, por dhe pa asnjë argument shkencor. Rama mori përsipër shumë kompetenca të grupeve të ekspertëve. Madje as grupi i ekspertëve nuk më bind që është në misionin e tij, pasi lidhen me një karrige të caktuar në administratën shtetërore. Unë mendoj që duhej dëgjuar zëri i mjaft shkencëtarëve që duhet të kishin folur. Ose kanë folur dhe zëri i tyre është shuar”, tha Topi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



