Kosova nuk pranon që mësuesit të marrin vaksinën kineze në Shqipëri/ Ministri Vitia zbulon bisedën me Manastirliun: Më premtoi që…
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, deklaron se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi vendi ynë nuk ka më në dispozicion vaksina “AstraZeneca” dhe “Pfizer”, por vetëm “Sinovac”.
Vitia vuri në dukje ligjet e Kosovës e ndalojnë importimin e produkteve që nuk janë të certifikuar nga EMA, sikundërse është vaksina kineze.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Vitia tha se ministrja Manastirliu i ka premtuar se sapo të vijnë doza të tjera të Pfizer dhe AstraZenec-as, një sasi e caktuar do të ruhet për mësuesit e Kosovës.
“Dozat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovac, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë sot Vitia.
Edi Rama tregon mesazhin e Albin Kurtit
Më 1 prill kryeministri Edi Rama tha se homologu kosovar Albin Kurti i kishte dërguar një mesazh që ta ndihmonte me vaksinimin e mësuesve në Kosovë.
“Ne jemi shumë krenar që po ndihmojmë edhe Kosovën. Më çoi një mesazh Albin Kurti duke më falënderuar që meqë ata morën vaksina dhe do vaksinojnë mjekët, sot dëshironte që ne të ndihmonin për mësuesit. Po i thashë patjetër. Ne do i japim ato që duhen që të vaksinohen mësuesit e Kosovës, sigurisht. Si bëhen këto me llafe? Me dëngla? Duke fjetur gjumë? Ndërkohe që ne jemi në mes të kësaj finaleje dhe e shikojmë dritën e atje,” tha Rama.
Masa të reja anti-Covid janë miratuar sot nga qeveria e Kosovës. Kabineti Kurti ka vendosur kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

Ministria e Shëndetësisë, ka marrë vendim për mbylljen për 12 ditë të lokaleve, bareve dhe restoranteve, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollave si dhe ndalohen grumbullimet deri në 10 persona.
Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.
Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.
Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill. “Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.
Ndërsa mbajtja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është detyruese, në të gjitha rastet përveç:
-Gjatë drejtimit së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;
-Gjatë vrapit dhe çiklimit;
-Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
11 persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë nga Covid-19, ndërkaq janë konfirmuar 512 raste pozitive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



