KPK shkarkon nga detyra prokurorin Ndriçim Troplini
Në një vendim të marrë unanimisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i kryesuar nga Firdes Shuli, dhe me anëtarët Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici, shpalli të mërkurën më 12 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Ndriçim Troplini.
Në seancën dëgjimore të mbajtur më 6 korrik, KPK ngriti dyshime se dy apartamente të blera në Durrës nga prindërit e prokurorit Troplini mund të jenë prona të tij. Gjithashtu, u konstatuan balanca negative dhe u ngritën dyshime për veprime fiktive në transaksionet e një mjeti të shitur, të cilat subjekti i kundërshtoi. Ndriçim Troplini i dha shpjegime për këto çështje dhe kërkoi konfirmimin në detyrë duke argumentuar në favor të profesionalizmit të tij.
Ndriçim Troplini ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Ai ka ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit nga viti 2008 deri në momentin e shkarkimit të tij.
Vendimi i KPK-së për shkarkimin e prokurorit Troplini vjen në një kohë kur përpjekjet për luftën kundër korrupsionit dhe për të forcuar rendin e ligjit në drejtësi janë në fokus të veprimtarisë së institucioneve të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



