Kroacia asgjëson 14.7 tonë speca të importuara nga Fieri
Kroacia ka asgjësuar një sasi prej 147 kuintalësh, ose 14 tonë e 700 kilogramë speca të kuq me origjinë nga Fieri, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e një substance aktive që nuk lejohet të përdoret në kultivimin e perimeve.
Vendimi për eliminimin e ngarkesës shqiptare është marrë pas kontrolleve të kryera nga autoritetet kroate, të cilat konstatuan nivel të lartë të fungicidit proquinazid, në masën 0.050 mg/kg.
Sipas të dhënave të sistemit europian të alarmit për ushqimin dhe ushqimet për kafshë, RASFF, specat rezultuan të kontaminuar me lëndën aktive proquinazid. Për këtë substancë, në rastin e specave, niveli i lejuar i pranisë është zero.
Proquinazidi lejohet në Shqipëri, por jo për perimet
Një nga elementët më shqetësues të rastit lidhet me mënyrën e përdorimit të këtij pesticidi.
Proquinazidi figuron në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë. Në tregun shqiptar, kjo lëndë aktive gjendet në preparatin me emrin “Talendo”, i cili ka vlefshmëri regjistrimi dhe tregtimi deri në fund të vitit 2028.
Megjithatë, fakti që produkti lejohet të tregtohet nuk do të thotë se ai mund të përdoret në çdo kulturë bujqësore.
Sipas informacionit të bërë publik, proquinazidi nuk është i ndaluar për shitje, por përdorimi i tij në mënyrë kategorike nuk lejohet në perime. Lënda aktive është e autorizuar për përdorim në kulturat e rrushit, ku shërben për luftimin e sëmundjeve kërpudhore, veçanërisht mykut pluhur.
Pikërisht për këtë arsye, zbulimi i saj në specat e kuq të eksportuar nga Fieri ngre dyshime se në kultivimin e perimeve mund të jetë përdorur një preparat i destinuar për vreshtat.
Dyshimet për përdorimin e preparatit të gabuar
Prania e proquinazidit në ngarkesën e specave mund të lidhet me përdorimin e një produkti të papërshtatshëm për këtë kulturë bujqësore.
Në këtë situatë, përgjegjësia mund të lidhet jo vetëm me fermerin, por edhe me mënyrën se si këshillohet përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve. Specialistë ose agronomë mund të kenë rekomanduar, apo fermeri mund të ketë aplikuar, një preparat që nuk ishte i përshtatshëm për specat.
Në përpjekje për të mbrojtur prodhimin nga sëmundjet dhe për ta nxjerrë sa më shpejt në treg, përdorimi i një produkti të destinuar për një kulturë tjetër mund të ketë sjellë mbetje të larta të pesticidit në produktin final.
Nuk është rasti i parë, specat shqiptarë sërish në alarm në Kroaci
Rasti i Fieri nuk është i izoluar.
Vetëm pak ditë më parë, më 7 shtator, autoritetet kroate asgjësuan një tjetër ngarkesë me speca me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan praninë mbi normat e lejuara të një tjetër pesticidi, acetamipridit.
Në atë rast, specat shqiptarë kishin kaluar përmes një tregtari nga Maqedonia e Veriut. Ky i fundit i kishte blerë produktet nga një fermer shqiptar dhe më pas kishte tentuar t’i rieksportonte drejt Kroacisë.
Sipas informacionit të disponueshëm, tregtari nuk ishte në dijeni të nivelit të pesticideve që përmbante produkti.
Ishin kontrollet e autoriteteve kroate të sigurisë ushqimore ato që zbuluan praninë e lartë të acetamipridit. Pas konstatimit, ngarkesa u konsiderua e papërshtatshme për konsum dhe u vendos që produkti të asgjësohej në territorin kroat.
Dy raste në pak ditë, pikëpyetje për kontrollin në Shqipëri
Fakti që brenda një periudhe shumë të shkurtër janë evidentuar dy raste me speca me origjinë shqiptare, të cilat janë bllokuar dhe asgjësuar në Kroaci për shkak të pranisë së pesticideve, ngre pikëpyetje të forta mbi kontrollet që kryhen gjatë procesit të prodhimit dhe përpara eksportit.
Rastet rikthejnë në vëmendje mënyrën se si monitorohet përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve në fermat shqiptare, si dhe sa efektive janë kontrollet për mbetjet e pesticideve përpara se produktet të hidhen në treg ose të nisen drejt vendeve të tjera.
Kontrollet nuk duhet të kufizohen vetëm në pikat e hyrjes apo në momentin e eksportit. Parandalimi duhet të nisë që në fermë, përmes informimit të fermerëve, këshillimit profesional dhe monitorimit të përdorimit të preparateve bujqësore.
Strukturat përgjegjëse për sigurinë ushqimore duhet të garantojnë që produktet e prodhuara në Shqipëri të jenë të sigurta dhe të përmbushin standardet për përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Në të kundërt, rastet e ngarkesave të bllokuara jashtë vendit jo vetëm dëmtojnë fermerët dhe eksportuesit, por vendosin në pikëpyetje edhe sigurinë e produkteve që mbërrijnë te konsumatori shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



