Kryemadhi: Lul trego si u blenë votat e 25 qershorit
Rritja e çmimit të ujit, Basha qytetarëve: U bë nga një grusht politikanësh që rrëmbejnë çdo qindarkë nga xhepat tuaj!
PUBLIK.live/E enjte, 27 Korrik 2017 10:31 Ka reaguar sot kreu i PD-së, Lulzim Basha pas vendimit të miratuar dje në këshillin bashkiak për të rritur çmimin e ujit me 20 lekë.
Basha e ka konsideruar Pazar klientelist ‘marrëveshjen’ e bërë me PDIU që votoi pro këtij vendimi me disa kushte, ndaj ai bën thirrje gjithë qytetarëve që të drejtohen nga e djathta, e cila do të jetë zëri i tyre në opozitë.
“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.
Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja.
PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të e fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve.”, tha Basha.
Rritja e çmimit të ujit, Kryemadhi i përgjigjet Bashës: Trego si u blenë votat e 25 qershorit
Pas deklaratës së kreut të opozitës, Lulzim Basha lidhur mbi rritjen e çmimit të ujit duke sulmuar LSI dhe PDIU teksa i quan bashkëpunëtorë të Ramës, kryetarja aktuale e LSI-së Monika Kryemadhi, iu është përgjigjur përmes një statusi në faqen e saj të Facebook.
Kryemadhi theksoi se me keqardhje kishte lexuar reagimin e kryetarit të shkrirë të PD-së, teksa i bëri thirrje Bashës që të tregojë se si u blenë votat e 25 qershorit.
REAGIMI I KRYEMADHIT
Vendimi i këshilltarëve të LSI për çmimin e ujit dhe ndërtimin e shkollave në Tiranë ishte qëndrimi dinjitoz i një force politike, që jo vetëm bën opozitë, por është rreshtuar haptas në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Me keqardhje lexova reagimin e kryetarit të shkrirë të PD dhe me duhet t’i kujtoj së pari paaftësinë e tij për të menaxhuar furnizimin me ujë kur ishte kryetar bashkie dhe i kishte të gjitha mundësite. Së dyti, dua ti them zotit Basha se këshilltaret e tij dje qëndruan në sallë për të votuar listat me emrat e tyre, që përfitojnë nga kreditë e buta. Dhe ky është një fakt që nuk mund të fshihet, madje as të manipulojë blerjen që iu bë dy keshilltarëve të LSI, prej të cilëve ne u distancuam. Sepse qendrimi i LSI nuk mund tê blihet me asnjë çmim. Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI. Me mbështetjen e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij të afërt Edi Ramës, u persekutuan dhe pushuan nga puna me dhjetëra anetarë dhe mbështetës të LSI. Ndaj të kërkosh sot të bësh opozitë kur ende nuk ke deklaruar qartë se me se u blenë votat e 25 qershorit është thjesht një lojë meskine për të fshehur të vërtetat e mëdha. LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin tonë ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



