Kryemadhi për Bashën: Fajin e kam unë, i dhashë besën një të pabesi
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka fajësuar veten që i dha besën kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.
Sipas saj, kur je peng i së kaluarës nuk mund të ndryshosh të ardhmen.
Në një intervistë për News24, Kryemadhi, e quajti të “pabesë” Bashën dhe se nuk i intereson situata në Partinë Demokratike.
“Jam fajtore që i dhashë besën Lulzim Bashës, një të pabesi. Pse e them këtë, ajo që dua të theksoj dhe që është më e rëndësishmja, kur je peng i së kaluarës tënde nuk mund të ndryshosh dot të ardhmen. Sot për hir të së vërtetës, situata në të cilën gjendet PD-ja, do qartësojë dhe shumë gjëra në politikën shqiptare”, tha Kryemadhi.
Ajo theksoi se nuk i intereson se çfarë bën Partia Demokratike brenda vetes së saj duke folur për marrjen e vendimeve të rëndësishme nga vetë qytetarët, me referendum.
“E morën vulën, s’e morën vulën. LSI-ja ka sfida të tjera. Sfida e LSI-së nuk është PD, është Shqipëria, të rinjtë dhe të rejat, ata kanë përsipër një sfidë të re,” tha ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



