Kryemadhi: Si më kërkoi Rama të mos shkoja në takim në SHBA
Ish-kryetarja e LSI-së zbardh kulisat
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka zbuluar një episod të pazakontë nga vitet kur debatet politike në Shqipëri ishin përqendruar tek përbërja e Gjykatës Kushtetuese.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Kryemadhi tregoi se gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara, kishte marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, ku i kërkohej të mos merrte pjesë në një takim të planifikuar me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Sipas saj, Rama donte që të mos diskutohej çështja e përzgjedhjes së Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese, në një kohë kur Presidenti Ilir Meta refuzonte të pranonte kandidaturën alternative që ishte betuar para noteres.
“Kam qenë në SHBA dhe kam kërkuar takim me përfaqësues të DASH, të cilët më pritën menjëherë. Në atë moment kam marrë një mesazh nga Edi Rama që të mos shkoja në takim me drejtorin për Europën Juglindore, për të bërë një marrëveshje për moszgjedhjen e Marsida Xhaferllarit,” – tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se zyrtarët e DASH u njohën me presionet që, sipas saj, ushtroheshin mbi institucionet shqiptare nga përfaqësues diplomatikë në Tiranë, nën ndikimin e ish-ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.
Në pjesën tjetër të intervistës, Kryemadhi foli edhe për marrëdhënien me bashkëshortin e saj, Ilir Meta, duke e përshkruar si një raport të ndërtuar mbi emocione e jo përfitime politike.
“Marrëdhënia ime me Ilir Metën ka qenë emocionale, dashurore. Po të ishte politike, do isha bërë deputete që në 1992. Kam propozuar njerëz si Ndre Legisi e Erion Braçe, dhe nuk jam penduar për këtë,” – theksoi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



