E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KSHH “heton” vdekjen e Lear Kurtit/ 14 orë pas ngjarjes, asnjë provë për arrestimin!
Lajme

KSHH “heton” vdekjen e Lear Kurtit/ 14 orë pas ngjarjes, asnjë provë për arrestimin!

Policia: S’kemi dokumente sepse…Detaje nga rrëfimet e 2 shefave të Komisariatit nr. 3

 

Ekspertët e Komitetit Shqiptar të Helsinkit janë të parët që kanë reaguar publikisht për mënyrën se si ka operuar policia me rastin e vdekjes së dyshimtë të Lear Kurtit.

Ata, kanë mbërritur në komisariatin në fjalë 14 orë pas ngjarjes dhe shefi dhe zëvendësshefi i Komisariatit nuk kanë pasur asnjë lloj dokumentacioni tu vihet në dispozicion.

Nga të dhënat që janë marrë nga dy titullarët e institucionit dhe të paraqitura në njoftimin e tyre të ditës së djeshme, është faktuar se ka mospërputhshmëri minutash nga rrëfimet e policëve të dy patrullave.

Ndërkohë edhe sikur të jenë të sakta rrëfimet e dy titullarëve, vërehet se Leari është marrë nga grupi i shoqërimit në orën 23.13 minuta ndërkohë salla operative është lajmëruar 14 minuta më vonë për sjelljen e tij në komisariat.

7 minuta më vonë, patrulla që e ndaloi i kërkon Komisariatit ambulancë pasi i prangosuri nuk ndjehej mirë! Pra i ndaluari ka qëndruar për plot 27 minuta me punonjësit e policisë, gjithnjë sipas dëshmive të tyre dhënë në dy ditë të ndryshme për dy institucione të ndryshme!

REAGIMI I KSHH

“Në Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë) fillimisht u mor takim me shefin dhe zëvendësshefin e Komisariatit dhe në përgjigje të pyetjeve të vëzhguesve të KSHH-së, ata pretenduan se në datën 19 tetor 2022 rreth orës 23:10 është evidentuar një qytetar (është fjala për L.K), i cili i është shmangur patrullës së Policisë, duke kryer veprime të dyshimta.

Për këtë ai është pyetur nga policët e patrullës nëse është banor i lagjes dhe nëse kishte dokumente identifikimi, por përgjigjet e tij kanë qenë negative. Në ndjekje, patrulla 1) i ka kërkuar sallës operative, përforcime, të ardhura nëpërmjet patrullës nr. 2), në orën 23:13.

Prej momentit të ndalimit, pasi është kapur në ndjekje, në orën 23:27 patrulla 2) ka njoftuar sallën operative mbi shoqërimin e këtij shtetasi në ambientet e Komisariatit, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Pas 7 minutave, në orën 23:34, patrulla 1) i ka kërkuar sallës operative ambulancë pranë Alpinit, pasi personi i shoqëruar ka deklaruar që nuk ndihet mirë.

Grupi i monitorimit të KSHH-së kërkoi të njihej me regjistrat ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Nën argumentimin se dokumentacioni është sekuestruar nga ana e punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vëzhguesve të KSHH-së nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt tjetër ligjor përveç Regjistrit të Evidentimit të të Dhënave për Personat e Shoqëruar, Regjistrin e Hyrje-Daljeve dhe Librin e Dinamikës.

Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipërpërmendur, rezultoi i munguar dokumentimi i të dhënave dhe gjeneraliteteve të shtetasit L.K, për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të tij të lirisë. Sipas përfaqësuesve të Komisariatit, mos regjistrimi në rastin e shtetasit L.K., ka ardhur si pasojë e gjendjes jo të mirë të personit ‘të shoqëruar’. Me gjithë këtë, KSHH-ja mendon se në këtë rast do të duhej të mbahej një procesverbal ku të pasqyroheshin këto rrethana.

Aq më tepër, kjo në situatën kur vëzhguesit e KSHH-së kanë qenë në ambientet e këtij Komisariati afro 14 orë pasi ngjarja kishte ndodhur.

Gjithashtu, duke iu referuar nenit 109 të ligjit të sipërcituar, rezulton se punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, sepse nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur vetëm në dyshime”.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.