“Kujdes me shqiptarët”, presidenti i federatës serbe ngre alarmin
Kombëtarja shqiptare ka përmbyllur përgatitjet për sfidën e shumëpritur kundër Serbisë, e cila do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Duboçiça” të Leskovcit. Mesditën e së premtes, kuqezinjtë do të nisen drejt qytetit të Nishit, ku do të qëndrojnë deri në ditën e ndeshjes.
Stërvitjet e fundit janë zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa trajneri Sylvinho dhe stafi teknik kanë finalizuar çdo aspekt taktik për këtë sfidë të konsideruar si një “finale” për objektivin madhor – sigurimin e vendit të dytë në grup dhe kualifikimin historik.
Atmosfera është e zjarrtë në të dyja kampet, pasi edhe për Serbinë kjo përballje ka peshën e një finaleje. Tensioni është i pranishëm, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për ndjeshmërinë jashtë fushe që e shoqëron këtë takim.
Pasditen e së premtes, në orën 16:30, nga stadiumi në Leskovc do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Sylvinho dhe një lojtari të kombëtares. Më pas, kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku do të luhet ndeshja.
Ndërkohë, Federata Serbe e Futbollit ka komentuar situatën e sigurisë, duke theksuar rëndësinë e shmangies së çdo incidenti. “E marrim shumë seriozisht. Do të ishte një katastrofë nëse do të ndodhte diçka. Mendoj se do të përjashtoheshim nga futbolli evropian për një kohë të gjatë. Për këtë arsye zgjodhëm Leskovcin dhe zvogëluam kapacitetin e stadiumit”, deklaroi presidenti i Federatës Serbe, Dragan Xhajiç.
UEFA ka caktuar gjyqtarin rumun István Kovács për të drejtuar këtë sfidë. Arbitri i klasit “Elite” është një nga më të besuarit në arenën ndërkombëtare. Kovács ka një CV mbresëlënëse, pasi ka gjykuar finalen e UEFA Europa Conference League në Tiranë (2022), finalen e UEFA Europa League në Dublin (2024), si dhe finalen e UEFA Champions League në maj 2025 (PSG–Inter).
Në përputhje me marrëveshjet mes federatave dhe rregulloret e UEFA-s, nuk do të lejohet prania e tifozëve udhëtues, çka nënkupton mungesën e tifozëve shqiptarë në stadium.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



