Kukësi gjobiti Duron për ditëlindje, zbulohet shifra që klubi do t’i mbaj trajnerit nga rroga
Në vend të një urimi, qoftë edhe kortezie në faqen zyrtare në “Facebook” apo internet, drejtuesit e Kukësit, me një shkresë që mban firmën e administratorit Lavdrim Gjici (vëllai i presidentit Safet Gjici) gjobitën trajnerin me motivacionin se është përplasur me tifozët pas ndeshjes së fundit të luajtur në “Elbasan Arena” ndaj Skënderbeut.
Është zbuluar shkresa që i është dërguar me “e-mail” trajnerit dhe gjithashtu klubi ka vënë në dijeni FSHF-në. “Njoftojmë trajnerin Duro se klubi i Kukësit e ka dënuar me gjobë 50% të pagës së muajit nëntor 2019. Arsyeja e dënimit është shkelja e kontratës dhe rregullores së klubit nga trajneri në ndeshjen KukësiSkënderbeu më 22 dhjetor në Elbasan. Trajneri është përplasur me tifozërinë e Kukësit në tribunë dhe duke mos mjaftuar kjo, ka dhënë deklarata në media kundër tyre, veprime këto që nuk duhet të ndodhin nga një profesionist”, citohej ndër të tjera në shkresën ku njoftohej për gjobë trajneri Duro.
Paga e tij mujore mësohet se është 2500 euro dhe kësisoj, klubi tashmë do t’i mbajë trajnerit 1250 euro nga paga e nëntorit. Dje gazeta kontaktoi me Duron për t’i marrë një reagim lidhur me këtë çështje, por trajneri evitoi polemikat. “Unë merrem me punët e skuadrës”, tha shkurtimisht trajneri kryeqytetas, duke mos dashur të ndalet te gjoba e vendosur.

SITUATA
Që ka një krisje mes drejtuesve më të lartë të klubit dhe trajnerit, kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Megjithatë, me vendimin e djeshëm, njëra anë e “medaljes” është fakti se klubi tregoi që i respekton shumë tifozët, pavarësisht se sa është numri i tyre në mbështetje të skuadrës në ndeshjet që prej muajsh Kukësi luan si pritës në fusha asnjanëse. Edhe pse tifozët e kanë ofenduar trajnerin pas ndeshjes me Skënderbeun, sërish klubi ka dalë në krah të tyre. Me sa duket, ajo që e ka çuar klubin në këtë vendim është deklarata që ka dhënë Duro pas ndeshjes. Megjithatë, krisja mes palëve është evidente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



