Kurti flet për situatën në veri të Kosovës: Serbia kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi
Në daljen e parë publike pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti deklaroi se Serbia po kërcënon sërish me luftë.
Ai shtoi se në mbledhje u ra dakord për më shumë vigjilencë në lidhje me situatën.
“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaqë në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk “jemi kundër askujt sa i përket përkatësisë etnike”.
Kryeministri Kurti nënvizoi se paqja në veri të vendit mbetet e brishtë, pasi Serbia kërkon të rinisë një luftë të cilën e humbi një herë.
“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Kurti ka kritikuar edhe Qeveritë e kaluara, duke thënë se në të kaluarën me kriminelët si Radoiçiçi dhe Veselenoviçi bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës.
Ai shtoi: “Ne në partneritet me BE dhe SHBA kemi toleruar shtyrje disa herë të zbatimeve të vendimeve tona, por çdo shtyrje i sakson afati. Nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë. Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



