Kush do i ‘gllabërojë’ malet dhe zonat rurale?
“Paketën e Maleve”, shpallen 4 zona zhvillimoret
Qeveria ka nisur procesin e shpalljes së zonave me prioritet për zhvillimin ekonomik në malësi, si pjesë e asaj që njihet si “Paketa e Maleve”.
Disa territore malore të Belshit, Elbasanit, Përmetit dhe Skraprarit janë përfshirë në këtë iniciativë, e cila synon zhvillimin e këtyre zonave. Me vendim të Këshillit të Ministrave, tashmë në këto territore do të lejohet zhvillimi ekonomik, industrial dhe turistik, çka përfshin ndërtimin e resorteve, bizneseve të tipit “agroturizëm” dhe aktivitete të tjera. Subjektet që vendosin të investojnë aty do të mund të blejnë tokën me 1 euro dhe do të përjashtohen nga taksat për katër vite.
Pak ditë më parë, kryeministri Rama pati përplasje me disa kryetarë bashkish, veçanërisht me atë të Kuçovës, për mosdorëzimin e hartave të zonave të përshtatshme për zhvillim. Sot, qeveria ka vendosur disa zona me prioritet zhvillimi malor në qytete si Belshi, Përmeti, Elbasani dhe Skrapari, duke treguar se ky ligj është një nga projektet e saj të rëndësishme.
Ligji përcakton se një “zonë me prioritet për zhvillimin ekonomik malor” është ajo që ka potencial për zhvillim ekonomik për shkak të peizazhit, burimeve natyrore, trashëgimisë kulturore dhe mundësive për aktivitete në natyrë.
Në bazë të këtij ligji, mbështetja do të shtrihet për 500 projekte, të përzgjedhura sipas planeve të zhvillimit që aplikantët dorëzojnë. Përfituesit, qofshin individë apo biznese të regjistruara, përfitojnë përjashtime nga taksat kryesore për 10 vjet, përfshirë TVSH-në, tatimin mbi fitimin dhe taksën e pronës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ligji nuk është pa sfida. Bashkitë do të nxisin procedurat për shpalljen e pronave si zona zhvillimi, duke lejuar investitorët të marrin tokat shtetërore apo private. Kjo mund të krijojë konflikte pronësie, pasi shumë prona nuk kanë dokumentacion të qartë.
Qëllimi i paketës është të inkurajojë rikthimin e banorëve dhe investimin në zonat malore, ku shpopullimi dhe mungesa e zhvillimit janë problematikë. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se ligji mund të përdoret për të transferuar tokat malore tek investitorë të mëdhenj, duke rrezikuar interesat lokale.




Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



