Kush e bleu? Irani vodhi dhe shiti të gjithë databazën e E-Albania
Skandali i hakerimit dhe lidhja e agjentit të FBI-së
Një hetim i thelluar i Byrosë Federale të Hetimit, FBI, hedh dritë mbi një operacion të gjerë kibernetik të lidhur me qeverinë iraniane, ku dyshohet se janë përdorur katër domene për të grumbulluar dhe tregtuar të dhëna të vjedhura. Objektiv i këtyre sulmeve kanë qenë institucione të Shqipërisë, disidentë iranianë, zyrtarë të Izraelit dhe kompani amerikane.
Sipas një dokumenti prej 40 faqesh, aktivitetet lidhen drejtpërdrejt me MOIS, shërbimi i inteligjencës së Iranit. Operacionet janë zhvilluar përmes profileve të shumta online, shumica të identifikuara me emrin “Handala”.
Në dokumentet gjyqësore të paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA, përshkruhen në detaje metodat dhe natyra e sulmeve. Një nga faqet e lidhura me rrjetin “Handala” është përdorur për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave të vjedhura nga Shqipëria gjatë sulmeve kibernetike të vitit 2022.

Sulmi i parë ndodhi në korrik 2022, në prag të një konference në Shqipëri ku pritej pjesëmarrja e anëtarëve të Mujahideen-e Khalq (MEK), një grup opozitar iranian që konsiderohet organizatë terroriste nga Teherani. Ky sulm paralizoi përkohësisht disa shërbime qeveritare.
Ndërsa në shtator 2022, kryeministri Edi Rama njoftoi një sulm të dytë që goditi Sistemin Total të Menaxhimit të Informacionit, duke ndikuar në procese si kontrolli i pasaportave dhe verifikimet në databaza të ndryshme shtetërore. Më vonë, CISA konfirmoi se hakerët iranianë kishin pasur akses në rrjetet shqiptare për më shumë se një vit.
Hetimi zbulon se sulmuesit kishin depërtuar në sistemet qeveritare që në maj 2021, duke shfrytëzuar dobësi në një server Microsoft SharePoint. Ata ruajtën akses të vazhdueshëm, duke monitoruar dhe shkarkuar materiale, përfshirë komunikime elektronike dhe dokumente sensitive.
Në maj 2022, operacioni hyri në një fazë më të organizuar: u kryen skanime të infrastrukturës, testime të aksesit dhe përgatitje për sulmin final. Rreth 15 korrikut 2022 nisi faza destruktive, ku serverët u goditën njëkohësisht, duke shkaktuar rrëzimin e tyre dhe humbje të konsiderueshme të të dhënave.
Mes materialeve të komprometuara përfshiheshin edhe komunikime mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë, që lidhen me çështje të diplomacisë, sigurisë kombëtare dhe inteligjencës.
Përgjegjësinë për sulmin e mori publikisht grupi “Homeland Justice”, i cili publikoi video dhe dokumente të vjedhura. Sipas hetimit të FBI-së, ky grup, së bashku me “Handala Hack” dhe “Karma Below”, operojnë në të njëjtën linjë dhe janë të lidhur me MOIS.
Në dëshminë e një agjenti të FBI-së në gjykatë, theksohet se këto grupe përdorin operacione psikologjike dhe kibernetike për të goditur kundërshtarët e Iranit. Ai shton se ka indicie të forta që të dhënat e vjedhura nga Shqipëria janë përdorur për shitje në tregun e zi.
Në një operacion të fshehtë në Maryland, një agjent i FBI-së arriti të blejë një databazë nga një individ i lidhur me “Homeland Justice”. Të dhënat përfshinin informacione shumë sensitive si numra ID, emra, datëlindje, adresa dhe të dhëna të tjera personale të qytetarëve shqiptarë.
Sipas raportit, kjo databazë përbën një rrezik serioz për sigurinë individuale, pasi mund të përdoret për vjedhje identiteti dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA ka shpallur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për çdo informacion që çon në identifikimin e personave të përfshirë në këto operacione kibernetike.
Situata mbetet shqetësuese, ndërsa një faqe e re e lidhur me “Handala” ka reaguar ndaj bllokimeve duke paralajmëruar sulme të tjera. Paralelisht, zyrtarë izraelitë pretendojnë se disa nga drejtuesit e këtij rrjeti janë eliminuar së fundmi në sulme ajrore./newsbomb
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



