E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush ka frikë nga Gjykata Kushtetuese? Lufta për ta deligjitimuar
Publik News

Kush ka frikë nga Gjykata Kushtetuese? Lufta për ta deligjitimuar

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u rikthye në funksion në fund të vitit 2020, vetëm pas një këmbënguljeje të fortë të partnerëve ndërkombëtarë në Tiranë.ww

Por, ky sukses, i cili i atribuohet më shumë diplomatëve Yuri Kim dhe Luigi Soreca, po tentohet të deligjitimohet, duke përdorur disa vendimeve dhe procese kontraverse të Gjykatës Administrative të Apelit.

Kjo gjykatë, e pozicionuar dukshëm kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), struktura përgjegjëse për verifikimin e kandidaturave, po vijon shqyrtimin telenovelë të ankimeve nga Zhaklina Peto, një ish-kandidate për Gjykatën Kushtetuese, e rrëzuar pesë herë rresht për probleme me pasurinë.

Në javët e para të janarit, një trupë e gjykatës administrative po shqyrton padinë e Petos, e cila duket se është “dorëhequr nga dorëheqja” prej garës, akt të cilin ia dorëzoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pak orë para se të ri-shqyrtohej për të pestën herë kandidatura e saj.

Sipas padisë që po shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit, juristja Peto pretendon se KED e ka keqinterpretuar kërkesën e saj për t’u dorëhequr nga gara.

Peto, në një komunikim që ka pasur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ka kërkuar nga anëtarët e këtij institucioni se, në rast se nuk ndryshojnë relacionin mbi verifikimin e pasurisë, të cilin e vlerësonte si tendencioz, ata “duhet të konsiderojnë dorëheqjen” e saj nga gara.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e datës 23 Dhjetor 2020, pasi konstatoi në mënyrë unanime se procedura verifikuese ishte tërësisht në përputhje me ligjin, po me vendim njëzëri konstatoi se shprehja e vullnetit të Zhaklina Petos për t’u dorëhequr nga gara ishte i qartë dhe i pavesuar.

Në përfundim, KED vendosi ndërprerjen e procedurave për Peton, duke argumentuar se ajo ka dhënë dorëheqjen nga gara.

Por, pas këtij vendimi, kandidatja Peto u shfaq në media të caktuara, të cilat e kishin suportuar mjaftueshëm në garën e saj të stërgjatë për një post në Kushtetuese, duke pretenduar se nuk ka dhënë dorëheqjen.

Pas këtyre deklarimeve, Peto ngriti një padi në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila, siç konstatoi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor 5-ditor dhe, për këtë arsye, u vijua me procedurat për dërgimin në Presidencë për emërimin e emrit të vetëm të mbetur në garë, Sonila Bejtja.

Telenovela Peto

Në fund të dhjetorit 2020, KED miratoi kandidaturën e fundit në garë për në Gjykatën Kushtetuese dhe Presidenti Ilir Meta e dekretoi anëtarin e shtatë.

Ky numër është i mjaftueshëm që gjykata supreme në vend të marrë vendime, sidomos për disa çështje që gjenden tashmë në tavolinën e gjyqtarëve dhe që janë tejet jetike për demokracinë në Shqipëri.

Anëtari më i fundit, juristja Sonila Bejtja, e kualifikuar që në Tetor 2020, u detyruar të priste serialin e ankimit pas ankimit të kandidates Peto, e cila i drejtohej Gjykatës Administrative të Apelit sa herë që përjashtohej nga gara, me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Gjykata e riktheu disa herë në garë Peton, duke paraqitur si argumenta ato që i konsideronte shkelje proceduriale nga ana e KED-së në shqyrtimin e kandidaturës së saj.

Në çdo rast, detajet që konsideroheshin “shkelje proceduriale” në vendimmarrjet e KED-së, në fakt nuk lidheshin aspak as me thelbin dhe as me rezultatin final.

Megjithatë, KED, në përmbushje të detyrimit ligjor dhe me durim, shqyrtoi në çdo rast kandidaturën e Petos dhe në çdo vendim konstatonte problematikat me pasurinë e juristes.

“Telenovela” që po zhvillohej mes Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ, krijoi dyshime për ndërhyrje politike në favorizimin e emrit të Zhaklina Petos.

Gjykata Administrative, në çdo rast anashkalonte faktin që KED konstatonte se Peto kishte problem me ligjshmërinë e pasurisë, përfshirë edhe burimin e një shtese në apartamentin dupleks në Tiranë, veprim që është kryer në kohën kur ajo ishte e martuar me Ministrin e Brendshëm aktual, Bledi Çuçi.

Megjithatë, KED vendosi përfundimisht përjashtimin e Petos nga gara, mbështetur edhe në aktin e saj të dorëheqjes.

Por, Gjykata Administrative e Apelit duket e vendosur të mbështesë çdo padi të saj, duke zhvilluar disa seanca për të provuar faktin nëse dorëheqja është dorëheqje apo jo.

Në aspektin ligjor dhe praktik, gjithçka është e mbyllur.

Edhe në rast se Administrativja pranon padinë e Petos, siç ka bërë rregullisht edhe më parë, nuk ekziston asnjë hapësirë kushtetuese dhe ligjore që ajo të marrë një mandat si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Por, nga ana tjetër, kjo “telenovelë” duket se ka një qëllim më të madh, që e tejkalon shumëfish emrin e një personi.

I gjithë ky proces duket se synon delegjitimin e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.