Kush masakron votat, masakron shtetin
Është gabim t’i kërkosh llogari Çuçit për atë që ndodhi në Velipojë kur e di i madh dhe i vogël që drejtorët e policisë në Shkodër i emëron Tom Doshi”. Kështu shkruante në një postim online Njeriu i Memeve, Genc Sejko, pas konferencës së turpshme për shtyp të një dite më parë të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Se çfarë ndodh realisht në Shkodër dhe se kush e bën ligjin, këtë e dinë vetë shkodranët. Por fakt është se pasi rrëmbejnë votat, janë të lirë të bëjnë çfarë të duan me shtetin ligjor. Masakra e Velipojës është pasojë e masakrës së votave dhe kjo nuk ka dyshim. Se kush e pengon zbatimin e ligjit në vend dhe se kush është ligji, këtë e tregon skandali i radhës i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreut, një personazh i njohur nga përgjimet për manipulimet zgjedhore. Ndreu ka sulmuar ashpër me fyerje policët e shkretë të Lezhës që kërkonin të zbatonin ligjin në zonën e Shëngjinit. “Legena, ligji jam unë,” u ka thënë ai. Ky skandal tronditës nuk është asgjë më shumë, vetëm konfirmim i faktit se kush e qeveris vendin në të vërtetë. Prandaj konferenca e Çuçit dje ishte jo vetëm arrogante, por edhe një hipokrizi e vërtetë. Ligjin e bëjnë ata që masakrojnë votat dhe që nuk njohin asnjë pushtet tjetër. Për të tjerët nuk e rruajnë, për të përdorur gjuhën e Pjerinit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



