Kush po i vjedh 13 MLN€ për rrugën e “Liqenit të Thatë”?
Nga redaksia Publik.al
Një tjetër aferë e rëndë korruptive po shpaloset në zemër të Tiranës, këtë herë nën petkun e rehabilitimit të rrugës së “Liqenit të Thatë” – një segment vetëm 1.1 km i gjatë, që për çudi “kërkon” një investim marramendës prej 1.3 miliardë lekësh (rreth 13 milionë euro me TVSH). Dhe në qendër të kësaj skeme shfaqen sërish emrat e njohur të klientelizmit dhe kapjes së tenderave publikë: Vasil Jovani, Astrit Varaku, Luan Mema, me firmën e Anuela Ristanit, një tjetër zyrtare e Bashkisë Tiranë që po çon përpara trashëgiminë e Veliajt me “flamurin e kuq” në dorë.
Rruga që nuk ka nevojë për ndërhyrje
“Gjendja ekzistuese e rrugës është në gjendje jo shumë të keqe”, shkruhet në projektin zyrtar të Bashkisë Tiranë, që vetë e konfirmon se asfalti aktual është i qëndrueshëm, me gjerësi të rregullt 6-8 metra dhe shtresë asfalti funksionale.
Megjithatë, në një paradoks të pastër abuzimi, Bashkia Tiranë, me firmën e Anuela Ristanit, ka vendosur të shpërndajë një fond të majmë prej 122 milionë lekësh pa TVSH për këtë segment, i cili nis nga Kopshti Zoologjik dhe përfundon te rrethrrotullimi i rrugës “Hiqmet Buzi”.
Fituesi: Oferta më e shtrenjtë, “konkurrenca” e skualifikuar
Në tenderin e zhvilluar më 20 qershor 2025, morën pjesë 22 kompani, por gara u kthye shpejt në farsë. Fitues u shpall bashkimi i KRONOS KONSTRUKSION dhe AL-ASFALT, me ofertën më të lartë: 77,896,221 lekë pa TVSH.
Tre operatorë të tjerë që ofruan çmime më të ulëta, si:
- FLED + DESARET COMPANY + KOLOSEU (76,156,060 lekë),
- COMPANY RIVIERA 2008 + ASI INVEST (76,827,601 lekë),
- SMO UNION + JUNIK (77,679,967 lekë),
u skualifikuan nga komisioni i Ristanit, pa arsye bindëse, duke ngritur hije të rënda dyshimi për manipulim dhe orientim të paracaktuar të tenderit.
Vasil Jovani “peshku i madh” në ujërat e pista të tenderave
Emri i Vasil Jovanit del gjithnjë në skemat ku fondet publike ndahen mes të “besuarve”. Jovani është ortak në shumë projekte me Petrit Kovaçin, biznesmenin nga Durrësi që përfitoi miliona euro nëpërmjet ndihmës së të birit, Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit.
Kompania Kronos Konstruksion, e Jovanit, ka përfituar rreth 70 milionë euro tendera, shumica të dyshimtë. Ai ishte pjesë e skemës së famshme të “5D”, ku disa drejtues të bashkisë Tiranë shërbenin si ortakë të heshtur në kompanitë që fitonin tenderët.
“AL-ASFALT” – kompania e kontratave të mbyllura
Punimet reale të asfaltimit do t’i kryejë AL-ASFALT, kompania e Astrit Varakut dhe Luan Memës, të njohur për fitimin e tenderave me procedura të mbyllura në bashkitë Kamëz, Shijak, Kavajë, Durrës dhe Tiranë.
Vetëm gjatë vitit 2025, kjo kompani ka përfituar 3 kontrata në Shijak me vlerë 600 milionë lekë, me firmën e kryetarit Elton Arbana. Po kjo kompani mori 338 milionë lekë në qershor 2024 dhe 1.2 miliardë lekë në gusht 2023 për projektin në “nyjen Shkozet – mbikalimi Plepa”, firmosur nga ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, tashmë në arrest nga SPAK për abuzime.
Asfalt për oligarkët, burg për qytetarët
Rruga që kalon para rezidencave të Tom Doshit, Lul Morinës, Pëllumb Salillarit dhe miqve të pushtetit, po ribëhet nga e para me një kosto që ngjan më shumë me larje parash sesa me investim infrastrukturor.
Siç ndodhi me Evis Berberin dhe pritet të ndodhë me Erion Veliajn, e njëjta rrugë e ndjek edhe Anuela Ristani – rruga që të çon nga zyrat e tenderave drejt burgut. Nëse drejtësia zgjohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



