Kush u mundua të fshihte vdekjen e punëtorit?! Familjarët e raportuan si të humbur
Ditën e djeshme, Policia e Shtetit, në një njoftim zyrtar, tha se shtetasi 58-vjeçar, me iniciale T.M humbi jetën në një pallat në ndërtim, pas rënies së ashensorit.
Më konkretisht në njoftim thuhej se te ish-Fusha e Aviacionit, dyshohet se si rezultat i një defekti, ka rënë nga kati i parë, në katin minus një, ashensori i një pallati në ndërtim e sipër. Si pasojë ka ndërruar jetë shtetasi T. M., 58 vjeç, për të cilin kanë kallëzuar familjarët se ditën e djeshme nuk është kthyer në banesë.
Pra në asnjë rresht të këtij njoftimi nuk ishte deklaruar që 58-vjeçari ishte një punonjës në atë kantier ndërtimi. Gjithashtu, thuhet se i ndjeri ishte raportuar si i humbur në polici nga vetë familjarët.
Ndër të tjera, vdekja kishte ndodhur një ditë më parë, përsa kohë që policia thotë se denoncimi për humbje ishte bërë ditën e djeshme.
Mirëpo sot në një njoftim tjetër, njoftohet se 58-vjeçari ishte punonjës në pallatin që po ndërtohej, por punonte në të zezë dhe pa kushte sigurie. Për këtë policia ka arrestuar përgjegjësin e punimeve, që me shumë mundësi është i fundit i përgjegjësive.
Pyetjet që shtrojmë të gjithë janë: Pse është fshehur kjo ngjarje? Kush e mbajti të fshehtë trupin e viktimës për një ditë, pa njoftuar familjarët, të cilët e kishin raportuar të humbur? Pse nuk u njoftuan në kohë familjarët? Cili oligark është duke ndërtuar pallatin ku ka vdekur 58-vjeçari?
Mossigurimi i kushteve të punës dhe punësimi në të zezë është kriminale, por më kriminale është fakti se si në pallatin që ndërtohej, përgjegjësit dhe oligarku mbajtën të fshehtë vdekjen e punëtorit, aq sa familjarët e gjorë e denoncuan si të humbur.
A duhet që prokuroria të nisë hetimet në lidhje me këtë ngjarje?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



