Kushtetuesja, Llagami dhe Jordan Daci kalojnë fazën e parë
Naureda Llagami dhe Jordan Daci janë dy kandidatët e parë që kanë përmbushur të gjitha kriteret ligjore për të vijuar garën për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur ndërkohë ndalimin e kandidimit të Lulzim Hamitajt. Ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin sipas procedurave ligjore.
Në pritje të vendimmarrjes së KED-së për lejimin ose ndalimin e kandidimit janë edhe Genc Gjonçaj, Helena Papa, Alban Toro, Arta Vorpsi dhe Brunilda Bara.
Pas shqyrtimit të të gjitha kandidaturave, kandidatët e lejuar do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe pikëzimit. Tre emrat me rezultatin më të lartë do t’i dërgohen institucionit përkatës të emërtesës, Presidentit të Republikës ose Kuvendit.
Presidenti do të zgjedhë një nga tre kandidatët e renditur, ndërsa për vakancën që i përket Kuvendit, tre emrat do t’i nënshtrohen votimit parlamentar.
Dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese u krijuan pas dorëheqjes së Elsa Toskës dhe përfundimit të mandatit të Sonila Bejtes.
Procedura për zëvendësimin e tyre ka tejkaluar afatet e parashikuara ligjore, duke zgjatur më tej plotësimin e trupës së Gjykatës Kushtetuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



