Zbardhet lista e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Këshillit të PD
Partia Demokratike ka publikuar listën e kandidatëve që synojnë të bëhen pjesë e Këshillit Kombëtar, organit më të lartë vendimmarrës të partisë mes dy kuvendeve. Në garë janë përfshirë figura të njohura të demokratëve, ish-deputetë, drejtues politikë dhe emra të rinj që synojnë të kontribuojnë në strukturat drejtuese të PD-së.
Mes kandidatëve spikasin emra me një histori të gjatë në jetën politike të Partisë Demokratike, si Dhurata Çupi, Genc Pollo, Ardian Turku, Bedri Hoxha, Asllan Dogjani, Aurel Bylykbashi, Gjok Vuksani, Petrit Doda, Roland Keta dhe Adriana Gjonaj.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr kandidimi i reperit të njohur Arkimed Lushaj, i njohur për publikun si Stresi. Në listë figuron edhe avokati Jordan Daci, si dhe Juela Meçani, e cila ka mbajtur më herët postin e zëdhënëses së Sali Berishës.
Lista përfshin gjithashtu emra që lidhen me figura historike të së djathtës shqiptare. Mes tyre janë Fiona Nishani, vajza e ish-Presidentit Bujar Nishani, si dhe Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe ish-deputetit të ndjerë Sokol Olldashi. Po ashtu, pjesë e garës është edhe djali i liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, Azem Hajdari.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të zgjedhë rreth 200 anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar. Ndryshimet e propozuara synojnë rritjen e përfaqësimit të diasporës, fuqizimin e rolit të grave në parti dhe krijimin e mekanizmave të rinj për përzgjedhjen e kandidatëve që do të marrin pjesë në primare.
Një tjetër pikë e rëndësishme e debatit lidhet me ndryshimet statutore që do të prezantohen nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Paketa përfshin tetë amendime që do t’i nënshtrohen votimit në Kuvend. Ndër risitë kryesore është krijimi i një strukture të posaçme që do të filtrojë kandidaturat përpara se ato t’i paraqiten anëtarësisë për votim, duke ndryshuar në një masë të caktuar mënyrën se si funksionojnë primaret në parti.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



