Kushtetuesja merr sot vendimin për fatin e Belinda Ballukut
Gjykata Kushtetuese mban sot seancën lidhur me masën e sigurisë “pezullim i ushtrimit të detyrës publike”, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe zhvillohet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton vendimin e pezullimit, duke pretenduar se gjykata ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka cenuar prerogativat kushtetuese të kryeministrit.
Kreu i qeverisë e ka argumentuar më herët qëndrimin e tij duke theksuar se legjitimimi i pezullimit të një ministri nga prokuroria dhe gjykata do të krijonte një precedent të rrezikshëm për ndarjen e pushteteve.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet proceseve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë”, është shprehur Rama.
Sipas tij, ankimi në Gjykatën Kushtetuese nuk lidhet me një çështje personale, por përbën një betejë institucionale për mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe të kompetencave kushtetuese të kryeministrit.
Gjykata e Posaçme vendosi më herët pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, si edhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë rreth 210 milionë euro, në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara. Akuzat përfshijnë gjithashtu edhe shkelje të barazisë në tendera në projektin e Unazës së Madhe.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit qeveritar në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh ka drejtuar një nga portofolët më të rëndësishëm të qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



