E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kuvendi i PD, për herë të parë pa Berishën, si u bë ndarja prej tij!
Lajme

Kuvendi i PD, për herë të parë pa Berishën, si u bë ndarja prej tij!

Nga dekomunistizimi, te largimi nga postet drejtuese të personave “non grata”. Vendimet që u morën

Kuvendi i demokratëve i 18 dhjetorit, i thirrur nga kryesia e PD-së dhe Lulzim Basha, ishte më shumë ndarje e plotë nga një e kaluar me shumë hije, sesa ndarje nga Sali Berisha “non grata”. Që në formë, Kuvendi Kombëtar, ku sipas të dhënave zyrtare morën pjesë 5004 delegatë, të jepte përshtypjen e një aktiviteti të një partie moderne perëndimore, larg pompoziteteve dhe në mungesë të plotë të ovacioneve të kultit të individit, apo të liderit suprem. Edhe nga kjo anë, Kuvendi i 18 dhjetorit ishte një shfaqje e re, një shkëputje nga e kaluara dhe nga modeli i tubimit të 11 dhjetorit në “Air Albania”, ku stadiumi thërriste në kor: “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do!”.

NDARJA

Që nga fjalimi i kryetarit të Partisë demokratike, Lulzim Basha, e deri te diskutanti i fundit, kërkesa e artikuluar fort dhe qartë ishte një PD pa Sali Berishën “non grata”. Vetë pozicionimi i ish-kryetarit historik të kësaj partie kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kishte bërë drejtuesit e kësaj partie, por edhe delegatët e thjeshtë të saj, të vendosur për të dënuar këtë përballje dhe për të konfirmuar se PD nuk mund të jetë kundër SHBA-së. Madje Kuvendi i 18 dhjetorit i ngjante shumë Kongresit të PPSH-së së 10 qershorit 1991, kur Partia e Punës i bëri gjyqin Byrosë Politike, Enver Hoxhës dhe kërkoi shkëputjen nga ajo periudhë e errët, duke krijuar Partinë Socialiste. Demokratët dënuan antikomunistin Berisha, i cili është shndërruar në antiamerikan, duke kërkuar që me këtë qëndrim të pajtohet e gjithë Partia Demokratike. Në këtë Kuvend ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur që nga krijimi i saj, dekomunistizimi i partisë. Kuvendi Kombëtar i PDsë vendosi të përcaktojë në Statutin e partisë që “të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, si dhe partitë politike”. Gjithashtu, Kuvendi përjashtoi Sali Berishën nga çdo funksion drejtues përmes ndryshimit të ri në Statut. “Shpallja ‘non grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë”, thuhet në Statutin e ri.

1

KRITIKAT

Në Kuvendin e 18 dhjetorit, për herë të parë u adresuan kritika të hapura ndaj lidershipit të PD-së, kritika që nuk mund të imagjinoheshin në partinë e drejtuar nga Sali Berisha. Madje, këto kritika nuk kishin as fyerje, as linçime dhe as anatemime, por adresime ndaj Lulzim Bashës edhe nga vetë anëtarë të kryesisë, mbështetës të tij. “Ne duhet të ballafaqoheshim me faktin zgjedhor, jo duke u fshehur pas masakrave zgjedhore me Sali Berishën që në 8 vjet t’u bë mburojë. Ti duhet të ballafaqoheshe me masakrat zgjedhore duke ndërtuar një model. Ne duhet të bënim skuadra deputetësh përfaqësues me pëlqimin e bazës”, tha nënkryetarja e PD-së, Grida Duma. Debati për modelin e lidershipit të hapur në Kuvendin e 18 dhjetorit tregoi edhe një aspekt tjetër të rolit të Berishës në PD, i cili mesa duket, nuk e kishte pranuar këtë debat edhe kur partinë e drejtonte Lulzim Basha që nga 2013-a. Një debat i tillë do të ishte shigjetim ndaj mënyrës se si Berisha drejtoi këtë parti që nga 1991-shi. Por Kuvendi i 18 dhjetorit duket se i dha fund dualizmit të lidershipit të PD-së, prej këtij momenti ka një lider në PD, që do të jetë Basha. Pas kësaj ne kemi të drejtë t’i kërkojmë llogari Bashës për rezultatet e liderishipit të tij. Deri tani PD ka pasur dy liderë, lideri aktual nuk bënte dot asgjë, sepse Berisha e pengonte. Do të jetë apo nuk do të jetë i suksesshëm Basha, kjo i përket atij, por nga sot llogaridhënia i takon vetëm Lulzim Bashës. Por fryma e re në PD nuk u pa vetëm në aparencë apo fjalime, por edhe në vendime konkrete.

FTESA

Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit duke sjellë një frymë përbashkuese, ku mori pjesë madje dhe pati edhe fjalën e tij një nga kundërshtarët e parë të Lulzim Bashës, Fatbardh Kadilli, pati edhe ftesë për të pranuar në parti edhe ata që kanë ndjekur deri më sot Foltoren e Sali Berishës. “E di që nuk kanë qenë ditë të lehta për ju, e di që keni qenë nën presion, por më mirë se kushdo, ju e dini se këtu nuk bëhet fjalë për fatin e një individi, por për fatin e PD-së. Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë, duke mirëkuptuar çdonjërin prej nesh që sot, për shumë arsye, ka mendime të tjera, por askush nuk është i tepërt, të gjithë janë pjesë e familjes sonë. Unë kam dëgjuar çdo kritikë dhe natyrisht i mirëpres pa asnjë paragjykim, sepse ne të gjithë së bashku kemi vetëm një qëllim: një Parti Demokratike të fortë dhe rrëzimin e Edi Ramës”, shkruante Basha pas Kuvendit Kombëtar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.