Ky është çifti që u sulmuar me armë në Malishevë
25-vjeçarja shtatzënë humbi jetën, bashkëshorti lufton për jetën
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Malishevë, ku një çift i ri bashkëshortësh u qëllua me armë zjarri në dhomën e gjumit.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, gruaja 25-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj 26-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:20 në fshatin Kërvasari të Malishevës, pasi Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri.
Efektivët kanë mbërritur menjëherë në banesën e çiftit, ku i kanë gjetur të dy të plagosur në dhomën e gjumit. Të rinjve u është dhënë ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas janë transportuar drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
25-vjeçarja, e cila ndodhej në javën e 34-të të shtatzënisë, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ajo ka mbërritur në spital pa shenja jete.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj është futur menjëherë në sallën e operacionit dhe vijon të marrë trajtim mjekësor në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj çiftit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar dinamika e të shtënave, motivi dhe mënyra se si arma ka përfunduar në vendngjarje.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



