Tragjedi në Malishevë, vritet një grua shtatzënë, plagoset burri i saj
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Kërvasari të Malishevës, në Kosovë, ku një çift bashkëshortësh është qëlluar me armë zjarri.
Nga të shtënat ka humbur jetën gruaja, e cila, sipas raportimeve të mediave kosovare, ishte shtatzënë. Bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 23:20 të datës 23 gusht. Menjëherë pas njoftimit, njësitë policore kanë shkuar në vendngjarje, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur çiftin të plagosur me armë zjarri.
Të dy personave iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në QKUK për trajtim të specializuar.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës.
Rreth orës 01:10, autoritetet janë njoftuar nga QKUK se gruaja, madhore, nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve të marra dhe kishte ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, në vendin e krimit ka mbërritur edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar dinamikën e të shtënave, motivin dhe përgjegjësinë për ngjarjen e rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



