E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lajm i keq për duhanpirësit, rriten çmimet e cigareve dhe “vape-ve”
Lajme

Lajm i keq për duhanpirësit, rriten çmimet e cigareve dhe “vape-ve”

Rritja e çmimit të cigareve ka nisur të ndihet në tregun shqiptar, pas hyrjes në fuqi të indeksimit të akcizës, sipas ndryshimeve të parashikuara në ligjin për taksat kombëtare.

Shtimi i barrës fiskale ka reflektuar menjëherë në çmimet e paketave të duhanit, të cilat tashmë po tregtohen me vlera më të larta në pikat e shitjes në të gjithë vendin. Ky shtrenjtim vjen si pasojë direkte e rritjes së akcizës, e cila ka pësuar një indeksim të ri.

Referuar dokumenteve shoqëruese të projektligjit, akciza për cigaret është rritur nga 7 mijë e 500 lekë në 7 mijë e 750 lekë për çdo 1 mijë fije, ose 250 lekë më shumë. Kjo rritje përkthehet në disa lekë shtesë për çdo paketë, barrë që bie drejtpërdrejt mbi konsumatorin final.

Në të njëjtën kohë, masa fiskale ka përfshirë edhe produktet alternative të duhanit. Për herë të parë, duhani elektronik dhe lëngjet “vape” janë futur në një regjim më të rreptë taksimi, ku akciza është rritur nga 18 në 20 lekë për mililitër.

Sipas qeverisë, indeksimi i akcizës ka një qëllim të dyfishtë: nga njëra anë rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe nga ana tjetër frenimin e konsumit të produkteve të duhanit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik.

Megjithatë, treguesit aktualë sugjerojnë se kërkesa për duhan mbetet e lartë. Të dhënat zyrtare tregojnë se importet e duhanit kanë kaluar shifrën e 3 mijë e 150 tonëve, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.

Autoritetet parashikojnë që nga kjo rritje e akcizës, buxheti i shtetit të përfitojë rreth 1 miliard lekë shtesë gjatë këtij viti. Ndërkohë, çmimet e cigareve pritet të vijojnë rritjen graduale edhe në vitet e ardhshme, në përputhje me politikat fiskale afatmesme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.