Lapaj kërcënon Endri Shabanin!
Dajoa do ta paguajë shtrenjë do t’i q…’
KËRCËNIME, SHANTAZHE DHE TELENOVELË: LUFTA PËR MANDATIN E VETËM TË “NISMA SHQIPËRIA BËHET” NË QARKUN TIRANË
Publik.al
Lufta e brendshme për mandatin e vetëm të deputetit që i ka takuar koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës ka degraduar në kërcënime, fyerje personale dhe përplasje publike mes protagonistëve. Një audio-mesazh i publikuar nga emisioni investigativ “Piranjat” në Syri TV ka nxjerrë në dritë kërcënime të rënda ndaj kreut të Nismës Thurrje, Endri Shabanit, që i atribuohen një aktivisti të afërt me Adriatik Lapajn.
Në audio dëgjohet një zë që e akuzon Shabanin për “tradhti” ndaj Lapajt dhe e paralajmëron për pasoja të rënda, duke përmendur një “ushtri” pas Adriatikut dhe duke bërë referenca fyese ndaj të afërmve të Shabanit. Mesazhi është i mbushur me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime personale, të papranueshme për çdo standard të një debati civil e demokratik.
REAGIMI I SHABANIT: “NUK PO NDAHEMI NGA UJQËRIT, POR PO NXJERRIM KËLYSHË QË VRASIN PËR PUSHTET”
Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Endri Shabani ka reaguar ndaj këtyre kërcënimeve dhe ka sqaruar pozicionin e tij mbi mandatin, duke deklaruar se:
- Mandati nuk ka qenë kurrë pronë personale e Lapajt, por një rezultat i votave të mbledhura nga gjithë koalicioni.
- Lapaj ka premtuar publikisht se nuk do ta mbajë mandatin nëse fitojnë vetëm një, por më pas “e ka dredhur”.
- Përgjegjësia për përfshirjen në listën e mbyllur të kandidatëve si Zeqiri është vetëm e Lapajt.
- Kërcënimet ndaj tij dhe fëmijëve të bashkëpunëtorëve janë një shenjë alarmante se disa duan të kthejnë shpresën qytetare në makth politik.
“Ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet,” shkruan ai me ironi të hidhur, duke shtuar se po tentohet të vritet shpresa për një politikë ndryshe.
KUJTESË E PREMTIMIT TË THYER DHE TËZJA NË PRAPASKENË
Telenovela e mandatit të vetëm është kthyer në një spektakël politik, me një kast të pazakontë personazhesh: nga daja i Shabanit, që akuzohet për sabotim të listës së hapur, deri tek tezja e Lapajt, Ana Dajko, e cila është renditur e para në listën e mbyllur dhe mund të marrë mandatin si “asi nën mëngë” për të kompensuar humbjen e nipit.
Kujtojmë që Lapaj ka kërkuar zyrtarisht në KQZ që të mos pranohen tërheqjet nga dorëheqja e kandidatëve që janë renditur më lart në listë, për të bllokuar që Shabani apo ndonjë tjetër të marrë mandatin që ai e konsideron si hak të tij moral.
KONTRADIKTAT E NJË “ALTERNATIVE” QË SHKËLQEU SI SHPRESË
Ajo që nisi si një lëvizje për të ndryshuar fytyrën e politikës shqiptare është kthyer sot në një zhgënjim të madh publik, ku idealet për listat e hapura dhe llogaridhënien janë groposur nën presionin për pushtet personal.
Nëse “Nisma Shqipëria Bëhet” kishte synuar të shërbente si model për një politikë të re, sot ajo rrezikon të kujtohet si simboli i një dështimi të shpejtë moral – një eksperiment që u rrëzua pa hyrë ende në Parlament.
Shqiptarët janë mësuar me luftë për mandate, por jo shpesh shohin që dajot, tezet, listat e mbyllura dhe shantazhet personale të bëhen skenar i një koalicioni që premtoi ndryshimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



