Laporta rikthehet te largimi i Messit: Momenti më i dhimbshëm
Në një intervistë për “Catalunya Radio”, presidenti i FC Barcelona, Joan Laporta, ka folur sërish për largimin e Lionel Messi nga klubi në vitin 2021, duke e cilësuar si një nga momentet më të vështira të mandatit të tij.
Laporta theksoi se klubi nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen me CVC Capital Partners vetëm për të regjistruar Messin, pasi e konsideronte atë të dëmshme për të ardhmen financiare të Barcelonës.
“Barça është mbi lojtarët, trajnerët apo presidentët dhe nuk mund ta bënim këtë,” – u shpreh ai, duke shtuar se vendimi ishte i dhimbshëm, por i domosdoshëm.
Presidenti katalanas e cilësoi atë periudhë si zhgënjyese, duke e krahasuar me largimet e figurave të tjera të rëndësishme si Ronald Koeman, Xavi Hernandez dhe Gerard Pique.
Sipas Laportës, rinovimi i kontratës së Messit ishte financiarisht i papërballueshëm për klubin në atë moment, çka bëri të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit.
Sa i përket marrëdhënies personale me argjentinasin, ai pranoi se ajo është dëmtuar, por theksoi se ka pasur një afrim gradual dhe shpreson që raporti të përmirësohet më tej në të ardhmen. “Ai është një legjendë e Barcelonës,” përfundoi Laporta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



