E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lefter Sulkaj akuzohet për 2 milion euro mashtrim
Lajme

Lefter Sulkaj akuzohet për 2 milion euro mashtrim

 Gjykata liron pronarin e “Spitalit Gjerman”.

Një rast i paprecedentë është e regjistruar sërish në gjykatat shqiptare, ku një i akuzuar për mashtrim me vlerë 2 milion euro është lënë i lirë. Bëhet fjalë për Lefter Sulkajn, pronar i “Spitalit Gjerman”, i pozicionuar pranë Kishës Ortodokse, tek Rruga e Kavajës.
Mësohet se fillimisht ka qenë një shtetas i cili ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës, biznesmenin Lefter Sulkaj dhe një bankë të Nivelit të Dytë. Më pas, janë regjistruar edhe kallëzime për mashtrim nga persona të tjerë në drejtim të Sulkaj dhe kësaj banke.
Prokurori i çështjes, pasi ka shqyrtuar dosjen e akuzave ndaj pronarit të “Spitalit Gjerman”, Lefter Sulkaj, i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shkak të veprës penale që ai dyshohet se ka kryer. Në fashikullin e dërguar në gjykatë, prokurori arsyeton se Sulkaj dyshohet se ka konsumuar veprën penale 143/2 të Kodit Penal, e që parashikohet një dënim nga 10 deri në 20 vjet burg.

Në bazë të këtij arsyetimi, por edhe të provave të depozituara nga kallëzuesit, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi më datë 27.07.2017 si masë sigurie “Arrest me burg” për biznesmenin Lefter Sulkaj. Ky i fundit, kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, pasi ai pretendon se kjo është një çështje civile dhe për momentin nuk ka likuiditet në shlyerjen e detyrimit prej 2 milion euro që ka ndaj disa shtetasve.

Pasi shqyrtoi kërkesën e Lefter Sulkaj, i njëjti institucion, pra Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë (me një tjetër gjykatës) rrëzon organin e akuzës duke ndryshuar më 06.08.2017 masën e sigurisë për biznesmenin nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Edhe pse pasojat e mashtrimit ishin tepër të mëdha (me vlerë 2 milion euro), gjyqtari nuk morri parasysh faktin se kjo vepër penale dënohet deri në 20 vjet burg.

E gjendur në këto rrethana, Prokuroria e Tiranës nëpërmjet një ankese i kërkon Gjykatës së Apelit që të rrëzojë masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, duke rikthyer sërish në burg biznesmenin nga Berati, Lefter Sulkaj. Sipas ankimimit, provat që janë paraqitur në gjykatë kurrësesi nuk mund të ndryshonin masën e sigurisë duke nxjerrë nga qelia pronarin e “Spitalit Gjerman”.

Ndërkohë një tjetër ankesë ka mbërritur edhe në zyrën e kryeministrit Rama, kësaj here nga një grup të rinjsh. Ata shprehin zhgënjimin sesi një gjyqtare ka nxjerr nga burgu një person të akuzuar për mashtrim me shifra marramendëse prej 2 milion eurosh. Të rinjtë që pretendojnë se ndjekin zhvillimet e gjyqësorit, shprehen mosbesues edhe ndaj trupës gjyqësore të Apelit, që do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë më datë 16.08.2017, për të rikthyer në burg Lefter Sulkajn. Në fund ata kërkojnë që ky skandal mashtrimi të pasqyrohet në media, pasi është mbajtur tepër e fshehur.

“As një media e shkruar apo vizive, portal apo internet, si dhe vetë komunikata e Policisë Tiranë nuk e jep një lajm të tillë, pasi nuk “përbën” lajm. Vjedhja e një lope, bagëtie apo një motorri përbën lajm dhe policia me të madhe deklaron se u kap filani e fisteku, por ky mashtrues 2 milion eurosh nuk përbën lajm!” – thuhet në ankesën e drejtuar ndaj kryeministrit Rama, që kërkojnë ta ndiqet si rast edhe nga Komisioni i Vettingut për mënyrën sesi një gjyqtare liroi një të akuzuar për mashtrim.

Biznesmeni dhe pronari i “Spitalit Gjerman”, i akuzuar për mashtrim, Lefter Sulkaj, ka patur në të shkuarën edhe një eksperiencë modeste në politikë. Në vitin 2001, Sulkaj ka kandiduar për deputet nën siglën e Partisë Aleanca Demokratike, të Neritan Cekës por që nuk është mundur të zgjidhet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.