Leli bojkoton këshilltarët bashkiakë: Më keni vetëm online
Këshilltarët e këshillit bashkiak të bashkisë së Vlorës janë mbledhur paraditen e sotme në orën 10:00 në sallën “Rilindja” të universitetit “Ismail Qemali”, por Dritan Leli ashtu sikur pritej, nuk ka shkuar duke theksuar se është gati për të qenë i pranishëm vetëm online dhe jo fizikisht, pasi nuk lejohen grumbullimet për shkak të masave anti-COVID.
Në rendin e ditës është diskutimi dhe miratimi i projektvendimit për sekretarin e këshillit, të cilin kryebashkiaku Leli nuk e ka kategorizuar te rastet urgjente për mbledhjen e këshillit. Ai thotë se nuk ka nxitim, pasi nuk është larguar nga puna, por ka dalë në pension.

“Ndjesë të gjithë lexuesve që e kanë humbur radhën e kërkesave të Këshillit Bashkiak për mbledhje jashtë radhe, por më duhet të sqaroj sërish se qëndrimi im për të zhvilluar mbledhje në ambiente të mbyllura, pavarësisht emrit, ngelet i njëjtë. Theksoj gjithashtu se nuk është bërë asnjë largim nga puna! Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njësoj si disa kolegë të tjerë që kanë punuar në Bashkinë e Vlorës, gjatë këtyre ditëve, janë njoftuar se kanë plotësuar kushtet për të përfituar pensionin e pleqërisë” shkruante Leli dje në një postim në Facebook.
Kjo është hera e dytë që kryebashkiaku nuk shkon në përballje, pasi herën e parë refuzoi mbledhjen në teatrin “Petro Marko”, ku socialistët do i bënin “gjyqin” publik.
Dritan Leli është kryetar i Bashkisë Vlorë që nga viti 2015 dhe është duke ushtruar tani mandatin e dytë. Rrugët e kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama u ndanë në mars të këtij viti, kur Leli nuk pranoi të dorëhiqej si kryebashkiak dhe të kandidonte për deputet, ndërsa prej disa javësh kundër tij ka pasur një sulm kryesisht nga deputetët socialistë të qarkut të Vlorës që e akuzojnë për gjendjen e infrastrukturës në qytet.
Ndërkohë vetë kreu i Bashkisë së Vlorës ka sqaruar në një dalje online se gjithçka çfarë kërkojnë këshilltarët nuk ka asnjë lloj emergjence.
“Dua të sqaroj opinionin publik, në këtë mbledhje jashtë radhe online, se sekretari i Këshillit Bashkiak, edhe pse i emëruar nga Keshilli i Bashkisë nuk ka statusin e anetarit të këshillit që zgjidhet nga populli. Funksionet e tij janë administrative dhe pozicioni nuk ka mandat kohor. Marrëdhëniet e sekretarit rregullohen nga legjislacioni i punës. Më poshtë, do të gjeni të gjithë shpjegimin e nevojshëm, referuar çdo hallke ligjore, lidhur me këtë rast”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



