Lëshohet urdhër-arresti për ish-presidentin e Federatës Spanjolle, Rubiales

Luis Rubiales tashmë duhet të përgjigjet para ligjit jo vetëm për sjelljet e tij seksiste ndaj futbollisteve të Kombëtares së Spanjës. Presidenti i shkarkuar nga drejtimi i Federatës së Futbollit të Spanjës pasi puthi në buzë futbollisten Jeni Hermoso, tani akuzohet për korrupsion dhe mashtrim financiar, duke abuzuar me postin në institucionin që ka drejtuar deri pak muaj më parë.

RUBIALES1

Policia spanjolle sot (19 mars) bastisi zyrat e Federatës, ashtu si edhe banesa të drejtuesve dhe ish-drejtuesve të saj, duke sekuestruar dokumente dhe arrestuar persona të cilët mendohet se janë përfshirë në marrëdhënie korruptive në këtë institucion. Luis Rubiales,.i cili gjendej në Republikën Domenikane ku ka tanimë rezidencën, deklaroi për mediat spanjolle se ishte i çuditur me këto lajme që vinin nga Spanja.

 Por mediat spanjolle kanë bërë të ditur se sot pasdite është lëshuar edhe një urdhër-arresti për të nga policia spanjolle e cila ua ka përcjellë kërkesën autoriteteve në Republikën Domenikane. Ata duhet të ekzekutojnë arrestimin e Rubiales dhe më pas ta ekstradojnë në Spanjë.

“Onda Cero” shpjegoi se deri tan janë 5 persona të arrestuar nga policia, mes të cilëve edhe përgjegjësi ligjor i Federatës Spanjolle. Kjo e fundit ka bërë të ditur me në komunikatë zyrtare se është në dispozicion të plotë të autoriteteve duke bashkëpunuar në dorëzimin e çdo dokumentacioni. Por njëkohësisht, ka anuluar mbledhjen e bordit drejtues që do të shpallte Asamblenë Zgjedhore për muajt e ardhshëm.

Hetimet janë mbi një kontratë me vlerë prej 240 milionë eurosh që Federata Spanjolle e cila drejtohej nga Rubiales, nënshkroi me Arabinë Saudite, për të zhvilluar atje Superkupën e Spanjës. Ndërmjetëse për firmosjen e asaj kontrate ishte një kompani e cila është në pronësi të Zherard Pike, Mendohet se Rubiales dhe persona të afërt të tij brenda Federatës, kanë përfituar ryshfete për këtë firmë.

Publikuar nga Publik Media