E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lezhë, policia qëllon me armë ndaj të riut
Lajme

Lezhë, policia qëllon me armë ndaj të riut

26-vjeçari nuk ndalon në postbllok dhe tenton të përplasë efektivët

Një përplasje mes Policisë dhe një të riu ka ndodhur mesditën e sotme në Lezhë. Raportohet se në aksin Lezhë-Milot, Policia në Lezhë ka qëlluar me armë ndaj një automjeti, shoferi i të cilit nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar në aksin rrugor Lezhë-Milot pranë fshatit Gajush.

Drejtuesi i mjetit Justin Dushku nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka tentuar edhe t’i përplasë, për këtë arsye blutë kanë qëlluar në drejtim të mjetit të tij. Si pasojë e të shtënave nuk ka të lënduar. 26-vjeç u shoqërua në komisariat, ku u zbulua se e drejtonte automjetin pa patentë. Gjatë ndalimit, në automjet u gjet edhe një armë e ftohtë pa leje.

Policia sqaroi se arma e shërbimit u përdor vetëm për të neutralizuar rrezikun e menjëhershëm. Ngjarja po hetohet nga një grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës.

Njoftimi i policisë:

Drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr, si dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale, drejtuesi i automjetit u neutralizua pa pasoja.

Rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, shërbimet e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe sigurinë e Autostradave, të caktuar me shërbim në Lezhë, i bënë shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhërave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente.

Ngjarja është menaxhuar pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë. Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 291, 236 dhe 279 të Kodit Penal.

Një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po kryen të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.