Lirohet nga detyra zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme
Këshilli i Ministrave ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku ka miratuar një paketë të gjerë vendimesh që prekin disa sektorë kyç, nga siguria rrugore dhe transporti ndërkombëtar, te mbrojtja sociale dhe legjislacioni penal në kuadër të integrimit europian.
Në fokus të kësaj mbledhjeje ishte miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030, së bashku me planin e veprimit për periudhën 2027–2029. Ky dokument synon përmirësimin e standardeve të sigurisë në rrugë dhe uljen e numrit të aksidenteve në vend.
Po ashtu, qeveria i dha dritën jeshile një marrëveshjeje me Ukrainën për transportin ndërkombëtar rrugor, si dhe avancoi një projektligj për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontroll të integruar.
Në aspektin social, janë miratuar ndryshime dhe shtesa në vendimet ekzistuese që lidhen me përfitimet për personat me aftësi të kufizuara, përfshirë procedurat dhe dokumentacionin për vlerësimin e tyre, si dhe mbështetjen për ndihmësit personalë. Gjithashtu, janë shtuar masa mbrojtëse për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në 18 vjeç dhe janë përditësuar përfitimet për personat me statusin e të verbrit.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me trajtimin financiar dhe mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit në rast dëmtimi në detyrë, si dhe për familjarët e efektivëve që humbin jetën gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kuadër të procesit të integrimit europian, qeveria ka ndërmarrë hapa për hartimin e legjislacionit në fushën penale, duke synuar përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave vendosi edhe lirimin nga detyra të zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti.
Vendimet e marra pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e politikave publike dhe në avancimin e reformave në disa fusha strategjike për vendin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



