E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Live” në Facebook e fundosi, shqiptari kalon kufirin me motor uji
Bota

“Live” në Facebook e fundosi, shqiptari kalon kufirin me motor uji

Nga Kanadaja në SHBA përmes lumit St. Clair me motor uji, kalimi ilegal u transmetua live në rrjetin social

Një shtetas shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet federale amerikane pasi dyshohet se ka hyrë ilegalisht në territorin e Shteteve të Bashkuara, duke përdorur një motor uji të marrë me qira dhe duke transmetuar gjithçka drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Romeo Bajrami, i cili sipas hetimeve ka kaluar kufirin nga Kanadaja drejt SHBA-së përmes lumit St. Clair, duke përdorur një mjet lundrues të tipit Sea-Doo. Momenti i kalimit dyshohet se është transmetuar “live” në Facebook, ndërsa pamjet janë përdorur më pas si provë nga hetuesit.

Sipas dosjes hetimore, Bajrami kishte marrë me qira mjetin në qytetin Sarnia, në territorin kanadez, por nuk e ktheu më. Denoncimi i bërë nga autoritetet kanadeze vuri në lëvizje strukturat amerikane të sigurisë kufitare, të cilat nisën kërkimet në zonë.

Pas disa orësh kontrollesh, mjeti u gjet i braktisur në brigjet e Port Huron, në shtetin e Miçiganit. Ky zbulim ngriti dyshimet për një hyrje të paligjshme, duke çuar në thellimin e hetimeve nga agjencitë federale.

Gjatë analizës së provave, hetuesit identifikuan edhe një video të publikuar në Facebook, ku sipas tyre shfaqet vetë Bajrami duke kaluar lumin me motorin e ujit. Të dhënat e vendndodhjes së videos përputhen me zonën ku dyshohet se ai ka hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA.

Pas një periudhe të gjatë hetimore, që zgjati afro një vit, autoritetet arritën ta lokalizojnë shqiptarin në një burg në Boston, ku ai ndodhej i arrestuar për një çështje tjetër të mëparshme.

Tashmë, ndaj tij rëndon akuza për hyrje të paligjshme në territorin amerikan. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim që mund të arrijë deri në gjashtë muaj heqje lirie.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.